Shoferi nga Maqedonia e Veriut që u kap me 324kg drogë doli sot para gjykatës në Durrës

Shoferi nga Maqedonia e Veriut Nazif Ajrofski, në kamionin e të cilit u kapën 324 kg kokainë në Portin e Durrësit ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Mësohet se në seancën e sotme gjyqësore, 40-vjeçari do të gjykohet nga gjyqtari Rexhep Bekteshi.
300 kilogramë kokainë, e paketuar dhe e mbështjellë me kuti të markave të njohura si ‘Dior’, ‘Chicago Bulls’, ‘Louis Vuitton’, ‘Kenzo’, ‘PSG’ dhe të whiskey-t të famshëm Brazilian ‘Velho Barriero’ u sekuestrua mesditën e 18 qershorit në Portin e Durrësit. Kamioni ishte nisur nga Belgjika, kishte kaluar përmes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe me një kamion me targa maqedonase, kishte mbërritur në Durrës. Edhe ky destinacion, ishte tranzit për të, pasi i drejtuar nga 40-vjeçari Nazif Ajrofski, kamioni priste që të nisej për në Itali, aty ku kishte destinacionin final, në Napoli.