Shpartallohet grupi parlamentar i Besës, zënka dhe sherre, kush me kë?!

E panjohur është nëse grupi parlamentar i Lëvizjes BESA do të ndahet pas përçarjes së partisë, pasi dy deputetë u rreshtuan në anën e kryetarit të shkarkuar Bilall Kasami, ndërsa tre prej tyre janë me u.d kryetarin dhe deputetin Nexhbedin Kahremani.

Anëtari i kryesisë Skender Rexhepi- Zejd për POST.mk tha se Fadil Zendeli duhet të qëndrojë i fjalës se do të jetë me shumicën. Për atë se kah do rreshtohet duhet të prononcohet edhe Teuta Bilalli.

“Deputeti Fadil Zendeli është prononcuar se do të jetë me shumicën. E pyes publikisht nëse do ta mbajë fjalën. Deputetja Teuta Bilalli është inteligjente, le të vendos vetë”, ka thënë Rexhepi.

Pas përçarjes mes krahut të Tetovës dhe Shkupit për dominim të partisë, për momentin është i ndarë edhe grupi parlamentar i BESËS. Pas Kasamit u rreshtuan Zendeli dhe Teuta Bilalli, derisa pas Kahremanit janë edhe Afrim Gashi dhe Rexhep Memedi.

Prej këtu lind dilema nëse përçarja e këtillë do ta dobësojë opozitën më të madhe parlamentare dhe nëse mbeten të ndarë si do të veprojnë në Kuvend.

Sipas zëdhënësit të BESËS, Orhan Murtezani, grupi parlamentar nuk mund të ndahet.

“Grupi parlamentar nuk mund të ndahet, pasi që të ndodhë ajo disa nga deputetët duhet të prononcohet se nuk është BESA”, ka thënë Murtezani.

Nga deputetët Zendeli dhe Bilalli edhe krahas tentimeve nuk arritëm të marrim qëndrim nëse do të mbeten me bashkë- partiakët Kahremani, Gashi dhe Memedi.