Shpend Ahmeti, propozon pesë masa për luftimin e pandemisë

0

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka propozuar pesë masa për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë lufta kundër coronavirusit ende nuk është e humbur por kërkon strategji, vullnet, solidaritet e përgjegjshmëri.

Lexoni të plotë postimin e Ahmetit:

“Më 17 qershor i kemi dhënë 8 rekomandime për nivelin qendror të cilat nuk janë marr parasysh dhe sot e kemi situatën edhe më të rëndë sikurse edhe krejt shtetet e regjionit por edhe më tutje pa strategji e cila edhe do të jepte siguri tek qytetarët dhe do të kërkonte bashkëpunim e edhe do të na tregonte rrugën përpara.

Nuk jemi të vetëm në situatën e krijuar pas rihapjes por definitivisht jemi më të painformuarit. Prandaj sot propozojmë këto masa në situatën e krijuar. Komuna e Prishtinës do të veprojë në disa drejtime dhe në gjëra që i ka në kompetencë por në qoftë se disa prej këtyre gjërave nuk adresohen atëherë lufta jonë do të jetë e kotë.

Testime, testime dhe testime – jemi shteti me numrin më të vogël të testeve dhe po ashtu shteti i vetëm që ka bllokuar importin e testeve nga laboratorët private. Shtetet tjera luftojnë për teste për shkak të mungesës së tyre e ne nuk i pranojmë. Testin PCR me strisho e kryn vetëm IKSHP ndërsa testet serologjike ende nuk bëhen në masën që duhen. Përderisa shtetet e tjera kanë bërë edhe hulumtime mbi prevalencën (sa njerëz e kanë pas virusin) ne nuk e kemi idenë përveç pozitivëve të konfirmuar në IKSHP.

Numri i rasteve aktive nuk është i saktë dhe përqindja që po e nxjerrni (50 për qind e të testuarve janë pozitiv) nuk kanë kurrfarë vlere shkencore.

Për ta kuptuar situatën më mirë dhe për të kontribuar edhe në debatet shkencore ne duhet të dimë se a po krijojmë imunitet kolektiv, se a janë të sakta numrat dhe se a krijohet imunitet nga sëmundja dhe a vlen një muaj, dy muaj apo tre muaj. Kjo do ti jepte kuptim komunikatave ditore për rastet e reja dhe do të na përgatiste për betejë.

Komuna e Prishtinës ka porositur mbi 10 mijë teste serologjike dhe nga kjo javë mund të fillojmë me 150 teste në ditë që ta kuptojmë edhe sa janë të infektuar në komunën tonë dhe po ashtu edhe shumë fakte të tjera. Ps dy jave ky kapacitet mund të shtohet deri ne 400 teste në ditë.

Duhet të ndihmohet çdo kapacitet publik e privat për testime. Sa më shumë informatë aq më mirë.

Qëllimi kryesor prej fillimit ka qenë ngadalësimi i përhapjes për ta përballuar sistemi jonë shëndetësor. 200 të shtrirë e përballojmë, 1200 jo.

Përveç kësaj hospitalizimin e kemi centralizuar në QKUK duke koncentruar edhe barrën në një grup të personelit shëndetësor.

Për ta përballuar numrat e ri duhet ta decentralizojmë betejën. Prej fillimit kemi potencuar skenarët. Kjo nuk është bërë dhe tash jemi në panik si Kosovë.

Tash duhet përgatitja e secilit institucion – spitalet regjionale, shëndetësia primare të riorganizohen për të krijuar qendra të COVID-it për trajtim të komplikimeve të lehta ndërsa QKUK të trajtojë rastet më të rënda.

Është e qartë që fatalitetet dhe komplikimet në masë të madhe po paraqiten tek të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese. Preventiven duhet ta fokusojmë tek këto grupe të rrezikuara. Çdo familje duhet t’i ruajë të moshuarit nga kontaktet e panevojshme e besa shumë shpesh edhe nga ato të nevojshmet.

Për ata qytetarë që nuk kanë përkujdesje duhet të organizohen grupe të vullnetarëve për të ju ndihmuar në furnizime që të shmangen kontaktet.

Ata me sëmundje shoqëruese duhet të ruhen edhe më shumë.

Hapësirat e mbyllura me numër të madh të njerëzve janë përçues të sigurt të virusit. Distancat janë siguria më e mirë e kur nuk ka distancë atëherë maskat. Në qoftë se veç nuk keni mund me e shmang distancën menjëherë pastroni duart.

Duhet në mirëkuptim të flasim me të gjitha institucionet e bizneset, që të jemi konsistent. Nevojitet një kohë për ta ngadalësuar virusin pa u mbyllur prapë. Disa institucione do ti mbyllim e disa kërkojnë thjeshtë mirëkuptim e solidaritet.

Të gjithë duhet ta bëjmë punën tonë. Vendimet janë të kota në qoftë se ne nuk jemi të përgjegjshëm për vetën tonë. Kur po thonë se ka njerëz me virus që po dalin pa problem në rrugë, nuk mund të besoj që dikush mund të jetë aq i papërgjegjshëm sa ta rrezikojë jetën e dikujt.

Luftën mund ta humbim nga virusi në qoftë se kemi fatalitete të shumta (deri në 1600 sipas parashikimeve të skenarit më të keq) ose nga kriza ekonomike në qoftë se aktiviteti ekonomik cungohet edhe më shumë e që po duket.

Por do të kapitulojmë krejt në qoftë se partitë politike vazhdojnë avazin e muajve të fundit. Fërkime të duarve për numra të infektuarve për shkak të luftës partiake ose mos pagesa të ndihmës ekonomike për ta forcuar karrigen janë veprime të pafalshme. Do të ju mbesin në qafë vuajtjet e këtij populli të shkaktuara komplet pa nevojë.

Lufta ende nuk është e humbur por kërkon strategji, vullnet, solidaritet e përgjegjshmëri.