Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi është arrestuar sot nga policia e Kosovës.
Ai akuzohet për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi, sipas autoriteteve.
Prokuroria Speciale tha se gjatë aksionit të zhvilluar të mërkurën është bastisur zyra e tij në Prishtinë, dy banesa në kryeqytetin e Kosovës që ishin në pronësi të tij, për të gjendur dëshmi “që kanë të bëjnë me veprat penale”.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, sipas njoftimit.
Prokuroria njoftoi së Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Por, sa është vlera e pasurisë së Krasniqit e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit?
Krasniqi në AKK ka të deklaruara një banesë 90 metra katrorë, në vlerë prej 67 mijë e 500 euro, një shtëpi 335 metra katror në vlerë prej 119 mijë e 763 euro dhe një tokë bujqësore dhe një hapsirë afariste, vlera e të cilave është mbi 31 mijë euro.
Krasniqi ka të deklaruara 30 mijë e 974 euro para të gatshme në dy banka të ndryshme, ndërsa në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve ka të deklaruara 16 mijë e 187 euro para të gatshme.
Sipas kësaj, Krasniqi dhe familja e tij posedojnë para të gatshme plot 47 mijë e 161 euro.
Sipas formularit të Agjencisë Kundër Korrupsion, Krasniqi ka edhe letra me vlerë të 563 euro dhe 535 euro.