Shpërndahet Parlamenti i Kosovës

0

Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Parlamentittë Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e organit legjislativ, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit filloi me “urimin” e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se kjo përbërje e legjislativit kishte në vete shumë deputetë dembelë.

Ai më pas hapi debatin, duke ia dhënë fjalën shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai tha se me shpërndarjen e Kuvendit po largohet edhe Qeveria e Kosovës, e cila sipas tij, njihet për rezultate minimale.(INA)