Sot në mëngjes ka ndodhur një shpërthim në Prishtinë, ku tri vetura janë dëmtuar.
Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin, i cili ka ndodhur në rrugën “Dalmatët” në Prishtinë.
Lajmin për arbresh.info, e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 06:30, është raportuar se në rrugën “Dalmatët” në Prishtinë , një veturë është dëmtuar nga një mjet i dyshuar shpërthyes.
Dyshohet që nga shpërthimi të jenë prekur edhe dy vetura të tjera të parkuara përreth.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe nga informacionet e para dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 03:00 , ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar.
Dëmet materiale dyshohet të kenë ardhur si pasojë e shpërthimit të mjetit shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore.
Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.”- ka thënë Borovci./arbresh.info/