Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një telefonatë nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës.
Bëhet e ditur se presidenti Begaj ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën, veçanërisht në dritën e zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë.
“Në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani e ka njoftuar Presidentin Begaj në lidhje me zhvillimet e fundit në veriun e vendit, cenimin e sigurisë kombëtare nëpërmjet sulmeve në infrastrukturës kritike si dhe për masat e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë situatë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Gjithashtu bëhet e ditur se të dy presidentët, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në adresimin e sfidave të sigurisë rajonale.