Shpopullimi i shqiptarëve në Serbi vijon edhe në kohë pandemie

0

Nga Muharrem Salihu/

Serbia nuk vetëmjaftohet me shpopullimin e Medvegjës, oreksi i saj nuk ka të ndalur, ajo po i don të shpopulluara edhe Bujanocin, edhe Preshevën dhe natyrisht dëshiron edhe copëtimin e Kosovës!
Presheva është një nga tre komunat shqiptare në Serbi, ku ende dominon në numër popullsia shqiptare. Them në numër, pasi përsa i përket të drejtave, ato janë shkelur dhe po vijojnë të shkelen nga qeveria e Serbisë, në mes të ditës me diell dhe në sy të të gjithëve. Problemi themelor në Preshevë, si edhe në Medvegjë është pasivizimi i adresave. Për një shkronjë “tepër” në emrin e rrugës, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) po inicon një proces të ri regjistrimi të adresave të banesave të shqiptarëve në Preshevë. Me synim “korigjimin” e adresave, MUP po i detyron qytetarët shqiptarë që të fillojnë procedurat për korigjimin e emërtimit të rrugëve.
MUP po shfrytëzon gjendjen e heshtjes dhe po detyron qytetarët të kryejnë detyrat e komunës dhe të organeve të rendit. Kjo gjë shërben si hapi i parë për diskriminimin e shqiptarëve, pasi nuk ka asnjë bazë ligjore që i detyron qytetarët të aplikonë për ndryshimin e emërtimeve të rrugëve. Për një shkronjë “tepër” në emrin e rrugës, lëshohet urdhëri për verifikimin e adresës, duke detyruar shqiptarët që të mbyllen në shtëpi. Nëse ata në momentin e verifikimit nuk do të gjenden në shtëpi, polici shkruan në formular: “Nije zatecen” (Nuk gjindet) dhe adresa i pasivizohet menjëherë. Ky proces ka sjellë edhe pasivizimin e shumë adresave në Preshevë. Gjë e cila ka detyruar shumë shqiptarë të Preshevës të aplikojnë në Beograd për të riaktivizuar adresën e tyre dhe për të marrë statusin e rezidentit aktiv e pasaportën, pasi këtë gjë nuk mund ta realizojnë në Preshevë.
Sikur të mos mjaftonte ky diskriminimi i drejtëpërdrejtë serb, shihet se subjektet politike shqiptare nuk po shfaqin asnjë reagim për këto veprime. Me sa duket ne shqiptarët me heshtjen tonë po ndihmojmë në diskriminimin tonë. Ndërsa diplomacia shqiptare u vu në shërbim, që të bindin faktorin shqiptar në Serbi që të marrin pjesë në zgjedhje, sepse kjo i nevojitet qeverisë së Serbisë për t’u paraqitur para ndërkombëtare “sikur” shqiptarët nuk janë të diskriminuar, por janë të integruar mirë. Kjo gjë u mundëson që larg syve të ndërkombëtarë pa u shqetësuar, të mund të vazhdojnë planet e tyre për shpopullimin e krahinave shqiptare në jug të Serbisë.
Sa pa vizion dhe sa të cekët po shfaqen politikanët tanë shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë e Serbi. U “kënaqën” me një listë të përbashkët, por nuk marrin mundimin dhe nuk po duan të kuptojnë dhe analizojnë se për këtë “listë kandidatësh për deputetë” nuk do të mund të votojnë mbi 7 mijë shqiptarë në Komunën e Medvegjës, mijëra të tjerë nga Bujanoci, e së fundmi edhe nga Presheva, për shkak të pasivizimit të adresave të tyre. Nderkohe subjektet kyesore si PVD dhe APN mbeten rival te perbetuar deri sa PVD-ja duke qene e para ne listen per deputet do t’i sabotoi maximalishte zgjedhejet ne menyre qe te penalizoi depertimin e kandidatit te dyte nga radhet e APN-se, dhe keshtu ne Parlamentin e Serbise shqiptaret do te kene vetem nje perfaqesues,ne kushte kur realisht munde t’i kishin tre deputet shqipetar.
Ndaj si vijueshmëri shtrohet pyetja: Kujt i shërben unifikimi i listës për kandidatë për deputetë në Parlamentin e Serbisë?
Ndërkohë, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pak ditë më parë nga Presidenti Vuçiç, krahas policisë, rol domethënës do të marrë edhe ushrtia, duke bërë që gjendja në komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshëvë të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Në Medvegjë shqiptarët nuk janë informuar për asgjë dhe janë injoruar nga jeta politike, sidomos tani, që janë anashkaluar edhe nga këshillat emergjente në nivel lokal.
Përsa kohë politikanët shqiptarë do të flenë dhe do të shpenzojnë energji me njëri-tjetrin, si në Shqipëri, Kosovë e në Serbi, pushtuesit tanë “paqësisht” do të vijojnë të veprojnë kundër nesh, duke vërshuar me shpejtësi dhe pa humbur kohë, si një lum kur del nga shtrati…

keshilltarkomunale Medvegje dhe themelues i AFEDS