Shqipëri, lind “Bindja demokratike”

0

Në Shqipëri, ish emra të njohur të Partisë Demokratike dhe ish pjestarë të forumeve drejtuese të saj, themeluan sot partinë e re Bindja Demokratike (BD), e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit. Po sot Partia Demokratike ënshkroi një marrëveshje me 7 aleatë të saj, duke u deklaruar kundër zgjedhjeve pa formimin më parë të një qeverie kalimtare si dhe duke u angazhuar se nuk do të lejojnë, sipas tyre, mbajtjen e zgjedhjeve fallco. Kryetari demokrat Lulzim Basha foli edhe për “një opozitë fallco” ndërsa u pyet për partinë e re.

Pas mbledhjes së mbrëmshme, ish numri dy i partisë Demokratike Astrit Patozi dhe emra të tjerë, ish anëtarë të forumeve drejtuese të kësaj partie, rregjistruan sot forcën më të re politike në vend “Bindja Demokratike”.

Në një status të gjatë në Facebook, zoti Patozi, i cili duket të jetë dhe figura drejtuese, shpjegon se kjo parti “ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik.

Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri”, shkruan zoti Patozi, një ndër figurat e shumta demokrate të cilat u lanë jashtë listës së kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2017, nga kryetari Lulzim Basha. Ai është gjithashtu një nga kritikët më të fortë të drejtuesit të PD.

Zoti Patozi, tentoi të sfidojë zotin Basha në garën për drejtimin e Partisë në vitin 2017, pas humbjes së rëndë elektorale të saj, por nuk u përfshi më pas në konkurrim për shkak të “mungesës së garancive për një konkurrim të barabartë”. Së fundimi ai e cilësoi një gabim tejet të rëndë, vendimin e opozitës për t’u larguar nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të saj. Sipas tij kjo ishte “një gafë e rëndë” e zotit Basha, dhe “një dhuratë” që po i bëhej kryeministrit Edi Rama.

“Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri”, shkruan zoti Patozi, sipas të cilit “fuqia e pakontrolluar e pushtetit të Edi Ramës, buron edhe nga pafuqia e opozitës zyrtare, sidomos nga pranimi prej saj i modelit të qeverisjes së partisë dhe më pas qeverisë. Opozita zyrtare e shikon pushtetin e Edi Ramës si model që mund ta shfrytëzojë për vete, kur t’i jepet rasti. Që do të thotë se ajo nuk e sulmon atë, por thjesht e lakmon. Ajo nuk do ta shembë atë model, por do që ta përvetësojë”, thekson zoti Patozi.

“Bindja Demokratike” u rregjistrua sot dhe në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në garën e 30 Qershorit, në ditën e fundit të afatit ligjor. Ndërkohë që po sot forca kryesore e opozitës, Partia demokratike dhe aletatët e saj nënshkruan një marrëveshje, ku u rikonfirmua vendimi i javës së shkuar për të mos marrë praktikisht pjesë në zgjedhjet vendore. Sipas dokumentit, partitë e opozitës “do të rregjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, duke shtuar më pas se “rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, por dhe “zgjedhje të lira e të ndershme vendore”. “Hap i panegociueshëm mbetet zgjidhja politike. Largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore, e cila do të mundësojë, përmes masave, për të garantuar zbatimin e ligjeve aktuale, si dhe reformës zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku të diktojë sovrani”, deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjeve zoti Basha.

Në të njejtën kohë, partitë opozitare “angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës. Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve fasadë, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin”.

Zoti Basha pati një koment të shkurtër për themelimin e Bindjes Demokratike: “Gjeneza e të keqes ku ndodhemi janë zgjedhjet fallco, të diktuara nga krimi. Prandaj, nuk do të ketë më zgjedhje fallco, nuk do të ketë më parlament fallco, nuk do të ketë më qeveri fallco, nuk do të ketë më drejtësi fallco, natyrisht nuk do të ketë as opozitë fallco”.

Në Shqipëri, përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila ju imponua skenës politike që prej vitit 2005, partitë e tjera të lindura nga shkëputjet prej forcave të mëdha deri tani kanë dështuar. Mbetet për t’u parë nëse rrethanat aktuale do ta favorizojnë ose jo jetëgjatësinë e Bindjes Demokratike.