Shqipëria bie ndaj Polonisë, “ëndrra” Katar 2022 mbetet në sirtar

Shqipëria nuk ia del të mbajë të ndezur festën kuqezi, që kishte nisur menjëherë pas triumfit në Budapest ndaj Hungarisë dhe kishte arritur kulmin pikërisht në “Air Albania”, aty ku në fund ishin polakët ata që festuan, falë një suksesi minimal 0-1.

Ia dolën të marrin tre pikët falë një pakujdesie në mbrojtje nga ana e tanëve, por gjatë gjithë 90-minutave nuk treguan asgjë më tepër se kuqezinjtë dhe djaloshi Marash Kumbulla ia doli të izolojë edhe pikën e tyre më të fortë, polakun Lewandowski.

Sfida ishte e balancuar deri në minutën e 76’, me të dy skuadrat që kujdeseshin më shumë për të mbajtur larg rrezikun,sesa për të shkuar te goli, megjithatë një mungesë vëmendjeje e Elseid Hysajt, bëri që të ndëshkoheshim nga ana e Swiderskit, që erdhi nga stoli dhe konfirmoi se është njeriu i momentin për polakët.

Më pas erdhi ajo hedhje sendesh drejt lojtarëve polakë,që solli ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, pasi bëhej fjalë për një gjest të përsëritur, megjithatë pas një paralajmërimi, skuadrat u rikthen në fushë për të luajtur pjesën e mbetur të lojës.

Reja provon gjithçka, duke hedhur në fushë edhe mesfushorët Çokaj e Bajrami, që marrin vendet e Bares dhe Roshit, megjithatë dy tentative të Brojës nuk patën fundin që të gjithë dëshironin dhe vërshëllima finale e arbitrit Turpin la në fuqi suksesin e polakëve.

Pas kësaj ndeshjeje, kuqezinjtë zbresin në vendin e tretë me 15 pikë, dy më pak se Polonia që ngjitet e dytë. Ëndrra për Play Off-in mbetet ende e hapur, por vetëm matematikisht, pasi tani fati nuk është më në dorën tonë, por në atë të polakëve, që vështirë se mund të gabojnë.