Shqipëria “dorëzohet” në Izrael, Reja flet pas humbjes

Shqipëria u mund 2 me 1 kundër Izraelit në transfertën e Ligës së Kombeve. Në pjesën e parë Broja humbi dy mundësi të arta për shënim.

Fillimi i pjesës së dytë ishte perfekt për Izraelin, që shënoi edhe golin e parë pas një gabimi të Hysajt. Pas disa rasteve që pati, Shqipëria arriti të shënonte në minutën e 80 golin e barazimit me anë të Uzunit.

Trajneri Edy Reja vuri theksin sërish te gabimet individuale. Ai ka deklaruar se lojtarët vazhdojnë të dhurojnë vetë golat, ashtu si në ndeshjet e kaluara.

“Skuadra dha shpirtin për të fituar sot, por u ndëshkuam sërish nga gabimet individuale. Janë të njëjtat gabime që na kanë ndëshkuar vazhdimisht dhe që i bëmë edhe sonte. Si gjithmonë, e komplikojmë vetë ndeshjen dhe sot dhuruam të dy golat. Po shpresonim për një barazim, që do të ishte një rezultat i mirë, megjithatë nuk kemi kthjelltësinë për të zgjidhur mirë situatat në momente të caktuara. Flasim gjithmonë për të njëjtat gjëra, për të njëjtat gabime, por vazhdojmë t’i përsëritim. Izraeli ishte shumë mirë fizikisht dhe na vuri në vështirësi. Rikthimi te mbrojtja me 5 na dha më shumë ekuilibër, por vendosën gabimet individuale”, theksoi trajneri Reja.