Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet të mërkurën, më 11 qershor, në orën 16:00, në varrezat e Sharrës.
Lajmin për ndarjen nga jeta të artistit e bëri të ditur e bija, Alba Bungo, e cila përmes një postimi prekës në rrjetet sociale zbuloi se shkak për vdekjen ishte “sëmundja më e rëndë e shekullit”.
“Sot më duhet të bëj gjënë më të rëndë të jetës time: të të them mirupafshim përjetësisht… I shtrenjti im, që jetove aq bukur, me aq dinjitet—kot nuk të thërrisja mbret. Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe. U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Krenare pafundësisht për ty, mirënjohëse për çdo gjë që më mësove dhe dhurove. Ishe dhe do të jesh dashuria më e madhe në dynja… U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im!”, shkroi ajo mes të tjerash.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të artit shqiptar, me kontribute të çmuara në teatër, film dhe televizion. Mbaroi shkollën e lartë për aktrim në Institutin “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një specializim për regji në Institutin e Lartë të Arteve.
Karriera e tij nisi në Teatrin “Bylis” të Fierit si regjisor, për të vijuar më pas në Estradën e Shtetit, ku realizoi shfaqje me tematikë sociale dhe me theks të fortë satirik. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat”, një projekt artistik pranë Teatrit Kombëtar.
Në vitin 2002 emigroi në SHBA, por nuk u shkëput asnjëherë nga arti. Ai shkroi drama dhe skenarë filmash si “Pabesia” dhe “Pas fasadës” dhe interpretoi role në kinematografi, ku veçohet ai i Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).
Në vitin 1998 themeloi televizionin privat “Combi”, ndërsa në 2001 u emërua anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, që trajtonte ngjarjet e vitit 1997. Nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Me ndarjen nga jeta të Leka Bungos, arti dhe kultura shqiptare humbën një prej personaliteteve më të angazhuara dhe me ndikim ndër dekada.