Shqipëria me sytë nga Ursula për negociatat

0

Politika shqiptare ka përshëndetur konfirmimin në postin e presidentes së të Komisionit Evropian të Ursula von der Leyen të martën, duke u bërë e para grua që mban një nga pozicionet më prestigjioze në Bashkimin Evropian.

Përmes rrjeteve sociale, kryeministri Rama, kreu u PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së Kryemadhi e kanë cilësuar një lajm të mirë për procesin e integrimit të Shqipërisë.

Kryeministri Rama shkruan: “Lajm i mirë për Europën, po edhe për Shqipërinë që pas votimit të sotëm, në krye të Komisionit Europian do të jetë Ursula von der Leyen, një grua e spikatur dhe një europeiste e palëkundur”

“Urimet më të ngrohta për Presidenten e re të Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen. Gruaja e parë në drejtimin e Komisionit të BE është një lidere me besim të fortë në vlerat thelbësore europiane të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit individual. Një lajm i mirë për BE dhe Shqipërinë! “, shkruan lideri i PD, Basha.

Ndërsa Kryemadhi duke e uruar si të parën grua në postin e Presidentes së Komisionit Europian, shkruan: “Jam e bindur se nën drejtimin tuaj, KE do të ketë një fokus të veçantë në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërisë, si një aleate e palëkundur e vlerave europiane”