Shqipëria rrit rrogat e ushtarëve për 30 përqind

Duke filluar nga data 1 korrik 2022, paga e ushtarakëve do të rritet me 30%. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi këtë të mërkurë, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Peleshi u shpreh se nga ky vendim përfitojnë të gjithë ushtarakët, teksoi theksoi se për 38 kategori në Forcat e Armatosura, do të ketë edhe një pagë shtesë prej 20 mijë lekësh të vjetra.

“Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kemi marrë një vendim i cili është një vendim që nuk merret shpesh. Në 30 vite, besoj se nuk ka pasur një vendim si ky, që lidhet me trajtimin me pagë të personelit ushtarak, pra të të gjithë Forcave të Armatosura. Sot kemi bërë rritjen historike të pagës.

Të gjithë ushtarakët, nga ushtari i parë dhe deri tek gradat më të lartë, nga data 1 korrik, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave do të kenë një page 30% më të lartë. Paga minimale në Forcat e Armatosura do të jeë mbi 51 mijë lekë të reja, shtuar edhe pagesa shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtime të tjera sipas vështirësive”, tha Peleshi./euronewsalbania/