Shqiptarët azilkërkues problem dhe në Itali?

0

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio paraqiti të premten një dekret të ri në lidhje me azilkërkuesit, i cili tha se do të shkurtojë kohën e nevojshme për të marrë një vendim nëse një emigrant duhet të riatdhesohet. Koha e shqyrtimit të dokumenteve do të bëhet 4 muaj, nga 2 vjet që ka qenë. “Ata që kanë nevojë për ndihmë janë të mirëpritur, por ata që, bazuar në rregullat ndërkombëtare, nuk mund të qëndrojnë këtu do të riatdhesohen”, tha Di Maio. Mes 13 vendeve të shënuara në programin e riatdhesimit, tha Di Maio, është dhe Shqipëria. Pak ditë më parë, duke folur nga Strasburgu, Emmanuel Macron, përmendi indirekt Shqipërinë kur foli për numrin e madh të azilkërkuesve që vijnë nga shtete të sigurta të origjinës dhe që duan hapje negociatash me BE-në. “Duhet të jemi në gjendje t’i përgjigjemi në mënyrë efektive sfidës migratore, të kemi guximin të përballemi me kërkesën për kontroll të shprehur nga të gjithë bashkëqytetarët tanë, të kemi kthjelltësi për të parë atë që në shumë raste, kërkesa për azil vjen nga shtete te konsideruara thellësisht të sigurta, madje nga njerëz që duan të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian, nga shtete me të cilat kemi liri të plotë të lëvizjes.”