Shqiptarët dhe Irlandezët

0

Nga Shpend Kaprolli

Shteti ku aktualisht jetoj tash më sa vite New Jersey, guvernator e ka një irlandez, Phil Murphy. Një burrë i lartë, fytyrëqeshur, energjik, modest dhe shumë punëtor. Në deklarimet e tija publike , me krenari, gjithmonë e potencon prejardhjen e tij irlandeze. Duhet marrë parasysh se jo ai, as babai as dhe gjyshi por stërgjyshërit e tij kanë ardhur në Amerikë. Kurreshtja
ballkanase është ngulitur në gjenet tona dhe unë s’bëj përjashtim.

Kur i shoh njerëzit dua t’ia qëlloj origjinën e shtetit amë të tyre e bazuar në atë se si duken . Mund të them se [do ditë
përmirësohem dhe kam gjithmonë e më shumë sukses. Amerikanët në përgjithësi nuk janë të mirë sa i përket gjeografisë. Mbase ka të bëjë se një kohë të gjatë kishin politikë izolacioniste.

Nisur nga kjo lirisht mund të vetëshpallem ekspert. (lol) Kur më pyesin mua për vendin e prejardhjes ua them: qëllojeni. Për habi, gati se njëzëri më thonë se jam rus. Në fillim se kuptoja pse por tani e di arsyen. Ua kthej gjithmonë në stilin e humorit irlandez. Për amerikanët. ose je kinez ose je rus. Meqë nuk i kam sytë formë bajame del se jam: rus. Ata që e kanw parw
filmin Richard Gere do t’u kujtohet kjo sentencë.

Të këthehemi edhe pak te dhuntia ime . Kur e kam takuar për herë të parë Guvernatorin Murphy ia qëllova me të parën: irlandez, nuk kisha dyshim. Bazuar në flokët e kuqëremta, kapilarët e theksuara në fyyrë, shtati i lartë dhe sensi eksplicit për humor (tallje e tërthortë, me mesazhe të fuqishme dhe me pocker face).

Fakte interesante gjeografike-historike: në Shtetet e Bashkuara mbi 30 milionë janë irlandezë , popullata e dytë për nga numri këtu, Vijnë pas gjermanëve me 50 milionë. Në Irlandë jetojnë pak më shumë se 4 milionë (vetëm 10% jetojnë në shtetin amë). E dhimbshme por e vërtetë. Si ndodhi kjo? Ka pasur më shumë arsye për ekzodin e tyre. Nuk do ta besoni por një nga arsyet kryesore ka qenë sëmundja e patateve (Great Irish Famine 1845-49). Nuk duhet përjashturar këtu edhe presioni dhe represaliet që i kishin nga Anglezët. Deja vu thonë francezët. Sa më shumë që zhytesh në historinë e raporteve anglezo-irlandeze aq më shumë i sheh ngjashmëritë mes raporteve shqiptaro-serbe; nisur nga diskursi, antagonizmat, represaliet
terrorizimi etj.

Eshtë interesant se kur flas me ndonjë irlandez i ndjej shumë të afërt, më duken kinse janë shqiptarë. I shoh në to poetin Lord Georg Gordon Byron, antropologen Edith Durham (Mbretëresha e Malësorëve sic e quanin shqiptarët asokohe) , Bill Clinton dhe shumë të tjerë që kontribuan për kauzën shqiptare.

Jo shumë larg vendit ku jetoj është ishulli Staten Island ( apo shtatë najllonat sic e quajnë shqiptarët), është një nga pesë bashkitë e Neë York-ut. Nëse irlandezët vërrehen gjetiu në Amerikë, shqiptarët vërehen me të madhe në këtë ishull. Nuk ka lagje në Staten Island ku nuk ka shqiptarë. I has kudo ( mos pa dashje e leshon një të sharrë shqipe, menjëherë do bëhesh pishman se shikimet e njerëzve do të drejtohen nga ti). Kur flitet për shqiptarët e Amerikës, gjëja e parë që do ta thonë amerikanët është se jemi punëtorë të mëdhenj dhe të zellshëm. Përjashtim nga ky qëndrim bëjnë disa italianë që na e kanë zilinë.

Me te drejtë …se ua vodhëm bukën. Zbulimi milion dollarësh- teknika e deklarimit italian. Nga familja Rama në Roma, nga Murati në Mike dhe gjithë të tjerët Tony. Nëse dikur pizeritë kryesore ishin prona italiane tash janë purro shqiptare, bile në pjesët me të rendësishme të qendrës së botës në Manhattan. Mjafton të thuash : Hey Shqipe! Përgjigjja nuk vonon, bile me
të edhe ushqimi falas.

Ta lëmë anësh folklorin dhe humorin, të shohim cka flasin numrat. Amerika njeh shtetësinë e jo kombësinë. Këtë problem e kemi gjetiu. Në mungesë të shifrave zyrtare do ta them atë që e flasin dibranët (e që e kanë të bazuar në regjistrimet e bashkësive fetare) se vetëm nga Dibra e madhe në Staten Island janë mbi 30 mijë dibranë. Nëse ky numër krahasohet me dibranët që aktualisht kanë ngelur në Dibër. Nuk është vetëm Dibra. Situata e njëjtë është me shqiptarët e Plavës e Gucisë, Pejës të
cilët më herët ia kanë mësyer Shteteve të Bashkuara, ata të Prespës, Manastirit, Strugës e shumë vendbanimeve tjera shqiptare.

Ndërlidhur me këto numra parashtrohet pyetja retorike: A na ndodh edhe neve ajo që u ndodhi irlandezëve? A jemi duke shkuar rrugës të cilën ata e morën para nesh dhe ku gati 90% e tyre e braktisën Irlandën?

Nëse Irish Potato Famine qe ajo që i largoi irlandezët kam përshtypjen se Albanian

Political Famine i largon shqiptarët nga trevat e tyre. Thënë më thjeshtë politikat e gabuara vite me rradhë i detyrojnë të njëjtit t’ia mësyejnë mërgimit pa kthim. Kryesorja oligarkër politikë janë të kënaqur me të arriturat e tyre. E sa për popullin: Zoti u ndihmoftë!

Amerikano-Italianët sikurse irlandezët flasin me krenari për vendlindjen e të parëve të tyre por, kur i pyes të njëjtit a e dinë italishten, përgjigja është; jo. Thonë: prindërit tanë flisnin italisht e ne jo. E kur vazhdoj më tutje me pyetjen a e keni vizituar Italinë thonë: jo, por e kemi në plan në të ardhmen. Dhe.. vdesin, pa e vizituar kurrë! Mos të harrojmë se ata erdhën vetëm dy tre gjenerata para nesh.

Një nga shkrimtarët e mi të preferuar, Thomas Friedman e ka një libër interesant që titullohet The world is flat. Ai mes tjerash merret edhe me globalizmin dhe thotë se bota është e rrafshtë dhe kufijtë administrativë mes shteteve dalngadalë zhduken. Njerëzit lëvizin më shumë se paraprakisht, informatat janë të qasëshme nëpërmjet internetit të shpejtë dhe ata zgjedhin të jetojnë atje ku u pëlqen më së shumti. Secili ka mundësi që të sheh se si jetohet në një vend të
caktuar, cilat janë përparësitë e cilat mangësitë.

Në këtë botë të rrafshtë të ditëve tona si mund të mbahen njerëzit në vendlindje e
tyre? A janë fjalët e mëdhaja dhe premtimet boshe ata që mund ta bëjnë këtë? Mbase jo. Janë
politikat e drejta të zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve, demokracia dhe liria e të
shprehurit. Derisa nuk është bërë shumë vonë u ngel atyre që janë më përgjegjësit të këthehen
nga Këbla dhe të mendojnë edhe për popullin. Sovrani duhet të mendon shumë mirë se kujt ia
jep votën Shpresojmë se një ditë do të mbizotërojë vullneti i mirë dhe gjërat do të ndryshojnë
për së miri. E çka na ngel tjetër përveç shpresës e cila thuhet se vdes e fundit.
Deri atëherë, duke shijuar një pizë shqiptare, me një birrë irlandeze, duke jetuar ëndrrën
amerikane dhe me dëshirë që së paku eshtrat të më pushojnë në vendlindje.