Një protestë do të mbahet në orën 11:00 në Bujanoc për “Identitet dhe Dinjitet”. Lajmi është bërë me dije nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, ndërsa sqarohet më tej se kjo protestë do të mbahet për shkak të diskriminimit të shqiptarëve nga ana e Serbisë.
Me moton “Ejani! Për vetën tuaj! Për ata që do vijnë pas nesh!”, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, bënë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në këtë tubim paqësor.
“Të protestojmë, për identitet e dinjitet!. Shqiptarët e Luginës së Preshevës po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të përditshme në realizimin e të drejtave të tyre elementare. Në pamundësi për të marr atë që na takon e duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, është koha të ngrisim zërin tonë”, tha ai, ndërsa shtoi më tej se kjo protestë organizohet gjithashtu edhe pëer marrëveshjet e mbetura vetëm në letër dhe të cilat nuk u zbatuan asnjëherë.
Një njoftim e bëri edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila u shpreh se kjo protestë që do të mbahet sot, është kundër shtypjes dhe diskriminimit që u bëhet shqiptarëve nga Beogradi zyrtar.
“Të dalim bashkë, pa dallim. Të ngrisim zërin tonë. Për IDENTITET e DINJITET. Zërin e shqiptarëve të diskriminuar. Takohemi në ora 11:00 në Sheshin e Bujanocit”, ka shkruar ajo në Facebook.