Shqiptarët e Plavë-Gucisë, filluan aksionin humanitar për të ndihmuar Shqipërinë

0

Shqiptarët nga Plava dhe Gucia, filluan sot mbledhjen e të hollave për familjet e prekura nga termeti në Shqipëri. Mbledhja e të hollave është duke u bërë në Plavë, pranë Shtëpisë së Kulturës, si dhe në GUCI në lokacionin METRO caffe bar, ku janë të vendosura kutitë për donacione. Në shkresën e organizatorëve nga Plava dhe Gucia, i bëjnë thirrje të gjithë bashkëvendësve që të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi për familjet e prekura nga termeti i datës 26 Nëntor i cili goditi Shqipërinë, duke shkaktuar shumë viktima dhe dukë lënë mijëra njerëz pa kulm mbi kokë. “Ndihma juaj, sado e vogël qoftë, ka vlerë të jashtëzakonshme, që edhe ne nga Plava e Gucia t’i bashkohemi karvanit humanitar”, thuhet në shkresën e organizatorëve. Siç, theksojnë, mjetet e mbledhura do të dorëzohen në Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë.