Shqiptarët jo pjesë e pushtetit të ri në Medvegjë, Salihu: Do ngrisim zërin në instancat ndërkombëtare

0

Në Medvegjë sot u konstituua pushteti i ri lokal pas zgjedhjeve të fundit lokale të shtatorit, ku shumicën dominuese përbën partia SNS e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Partitë shqiptare për herë të parë morën numrin më të paktë të këshilltarëve, edhe ate tre këshilltarë, dy nga koalicionit “Për Medvegjën” i udhëhequr nga veprimtari Muharrem Salihu dhe një këshilltar i PVD-së.

“Në Medvegjë përfundoi pushteti fiktiv që shqiptarët kishin decenieve të fundit, duke e vulosur me zgjedhjen e organeve të reja pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Persekutimi i shqiptarëve në Serbi e veçanërisht në Medvegjë përmes pasivizimit të adresave nxorri jashta listave votuese rreth 4000 votues shqiptarë, ku si pasojë u reduktua fuqia votuese dhe shqiptarët me veshtirësi arritën të kenë 3 këshilltarë komunal. Serbia është përkujdesur me kohë për këto rezultate, ndërkohë subjektet shqiptare kanë heshtur”, theksoi për INA, këshilltari Muharrem Salihu.

Sipas tij, sot mundësia e vetme ka ngelur denoncimi i këtij diskriminimi në instancat më të larta ndërkombëtare, gjë që ka nisur ta bëjë. Salihu nënvizoi se në Medvegjë popullata shumicë është shqiptare, ndërkohë që përmes manipulimeve administrative nga administrata lokale dhe qendrore rezulton një pakicë irelevante. Ai në ngritjen e zërit dhe eliminimin e kësaj padrejtësie kërkon edhe mbështetjen e Qeverisë së re të Kosovës.
“Unë frikësohem se era e re politike në Kosovë do të jetë e obliguar të aplikoj reciprocitet ndaj pakicës serbe në Kosovë, meqë Serbia nuk është e interesuar të bëj një gjë të tillë, duke trajtuar shqiptarët ashtu siç trajtohen serbët në Kosovë”, theksoi Salihu. (INA)