Shqiptarët lanë mbi 130 mln euro në kazino, baste dhe lotari gjatë 2017

0

Mbi 130 milion euro kanë shpenzuar shqiptarët në kompanitë e kazinove, basteve dhe lotarive përgjatë vitit që shkoi.

Por ky biznes do të jetë i detyruar të mbyllet në fund të këtij viti, bazuar në vendimin e qeverisë e cila përpiqet të mbyllë njëkohësisht dhe një plagë sociale.

Ndërkohë shpenzimet për frymë të shqiptarëve në lojërat e fatit kanë qenë rreth 46 euro në vit, shumë më lart krahasuar me rajonin.

Ornela Liperi: Një kompani e lojërave të fatit është ndër 10 kompanitë në vend që fitojnë më shumë në vlerë absolute, kjo nuk ndodh në asnjë vend të rajonit. Në vendet e rajonit nuk ka fare kompani të tilla kaq të mëdha dhe me një efekt kaq të madh. Shqiptarët shpenzojnë dhe pjesa më e madhe e shpenzimeve të shqiptarëve ka shkuar në xhepat e kompanive. Efekti në ekonomi i gjithë këtyre parave të shpenzuara është negativ, përveçse ata kanë humbur, nuk i ka sjellë asnjë vlerë të shtuar ekonomisë.

Por teksa disa shpenzojnë lek në kërkim të fatit, disa të tjerë e kanë burim kryesor të ardhurash punën në këto kompani.

Rezulton se 8 nga bizneset më të mëdha të lojërave të fatit kanë të punësuar rreth 7 mijë personat, të cilët do të duhet të dalin në rrugë pas 31 dhjetorit.

Ornela Liperi: Punëdhënësi më i madh në vend prej dy apo tre vjetësh është një kompani TSGA  e cila ka 3 mijë të punësuar.Është punëdhënësi i dytë më i madh, mbi këtë është vetëm Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kjo tregon edhe se drejt çfarë modeli ekonomie jemi orientuar, ku po shkojmë. Nëse shohim Maqedoninë apo vende të tjera, kompanitë që prodhojnë pjesë për makina apo autobusë.

Mbyllja e këtyre pikave brenda qyteteve, shumë prej tyre informale, do të ndërpresë dhe të ardhurat nga qiratë për ambientet që ishin dhënë për ushtrimin e këtij aktiviteti në qendrat e banuara, kryesisht në katet e para të pallateve.

Komentet

komentet