Shqiptarët në 100 foto, në 100-vjetorin e Luftës së I-rë Botërore

0

Materiale që publikohen për herë të parë, ndër të cilat 100 foto bardhezi me një cilësi të admirueshme për kohën, i sjell gazetari dhe studiuesi Armand Plaka në ekspozitën “Lufta e Madhe dhe shqiptarët”, të hapur te “Stela Resort”.

Plaka është fokusuar gjatë punës së tij kërkimore në burime arkivore jashtë vendit, në ato fizike dhe digjitale, të cilat revokojnë periudhën e Luftës së Parë Botërore në territoret shqiptare, ku veç përgatitjeve e atmosferës së luftës, bien në sy edhe fragmente nga përditshmëria në qytete e fshatra të ndryshme të Shqipërisë ( Shkodra, Lezha, Shëngjini, Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, rajoni Korçë-Kolonjë, Berati, Fieri, Lushnjë, rajoni i Mallakastrës, Labërisë dhe zona e lumit Vjosa). 50 për qind e materialeve të ekspozuara vijnë për publikun për herë të parë.

“Janë 100, çka përkon edhe me 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë (11 nëntor 1918)”, rrëfen ai.

Shumica e materialeve të ekspozuara janë marrë përgjithësisht në arkivat e vendeve pjesëmarrëse në luftë në frontin shqiptar: Austro-Hungaria, Franca, Italia, Serbia (edhe pse pak e përfaqësuar, edhe Bullgaria e Gjermania ).

Ekspozita përfshin gjithashtu disa video-kronika të kohës.

Ekspozita do të vazhdojë në Prishtinë e Gjilan, ku veç të tjerash priten të vihen në dispozicion materiale shtesë, ekskluzive nga periudha 1915-1918 në hapësirat e Kosovës.