Shqiptarët në Mal të Zi bashkohen me një listë për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit

0

Në Ulqin u nënshkrua marrëveshja për formimin e Listës shqiptare Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj. Këtë listë, që do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi, e përbëjnë Forumi Demokratik, Forca e Re Demokratike, Lëvizja Perspektiva dhe Unioni i Tuzit, mësohet nga kumtesa për opinion e Forcës së Re Demokratike, transmeton Ulqini Online.

Marrëveshjen e nënshkruan Nik Gjeloshaj nga Alternativa Shqiptare, Nazif Cungu nga Forca e Re Demokratike, Nikollë Camaj nga Lidhja Demokratike Shqiptare, Amir Hollaj nga Lëvizja „Perspektiva” dhe Fadil Kajoshaj nga Unioni i Tuzit. Ky Koalicion gjithëpërfshirës është i faktorizuar politikisht në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, nga Dacajt e deri në Breg të Bunës.

Ky koalicion i partive kryesore shqiptare në Mal të Zi nuk është i rastit, por vazhdon pas sukseseve të koalicionit Shqiptarët e Vendosur dhe suksesit të faktorit politik në Tuz. Është lidhur në interes të popullit duke synuar maksimalizimin e votës shqiptare.

Mirënjohje e veçantë për diasporën tonë dhe aktorët e tjerë politikë që kanë këmbëngulur për të krijuar një listë të përbashkët që do të mundësoj një përfaqësim më të denjë e të plotë të popullit tonë në Kuvendin e Malit të Zi. Sidoqoftë, ky koalicion mbetet i hapur për gjithpërfshirje të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, përfundon kumtesa e Forcës së Re Demokratike.

Mesazhet nga Amerika

Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik, nënkryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Në cilësinë e nënkryetarit të Federatës Pan-Shqiptare-Vatra, mora pjesë në videokonferencën e shoqatave të shqiptarëve të Amerikës dhe të partive politike shqiptare në Mal të Zi, organizuar nga asamblisti i qytetit të New Yorkut, Mark Gjonaj. Ishin këto më se 8 orë tentativë për të afruar partitë e atjeshme, që në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të dalin në një listë. Mirëpo, dhe pas koncesioneve te Listës Shqiptre, të cilët treguan gatishmëri që të mos pretendojnë në asnjë post politik, vetëm që të vihet deri te marrëveshja, me keqardhje e them, kjo nuk ndodhi. Dua me këtë rast të falenderoj mikun tim, z. Mark Gjonaj, për angazhimin e tij që edhe njëheri të ftoj shoqatat, diasporën dhe votuesit që të rrinë pranë subjekteve që dëshmuan se kanë gadishmëri të sakrifikojnë për të mirën e pergjithshme.

Me këtë rast pershendes dhe pergezoj Listen shqiptare, duke u premtuar gjithë përkrahjen time dhe të shoqatës që e prezantoj. Në të njëjtën kohë, ftojë dhe koalicionin tjetër politik që të gjejnë mundësi të afrohën, dhe së bashku të dalin me një list.
E kemi parë me 3 Mars të vitit të kaluar, vetem shqiptarët e bashkuar mund të bëhen faktor që ne e meritojme të jemi. Bashkohuni, për të mirën tuaj dhe të gjeneratave që vijn pas!