Shqiptarët në Maqedoni nuk duhet ta pranojnë këtë nënshtrim!

0

Abdulla Mehmeti

Duke qenë të detyruar për shkak të rrethanave historike të jetojnë në një shtet të përbashkët me popuj të tjerë në Maqedoninë Veriore dhe duke qenë në numër më pak se të tjerët (joshqiptarët), vetëm 1/3 e banorëve në këtë shtet, shqiptarët në Maqedoni, për t’i arritur objektivat e veta historike dhe aktuale, duhet të marrin mësim nga dështimet e derisotme të lëvizjes politike të tyre, sidomos gjatë periudhës tridhjetëvjeçare të tranzicionit demokratik. Rruga e vetme që duhet të ndjekin në të ardhmen mund të përfshihet në shtatë pika programore kryesore:
1. Të mos pranojnë të marrin pjesë në zgjedhje, parlamentare, lokale dhe presidenciale, pa u ndryshuar rrënjësisht kodi zgjedhor, modeli aktual i zgjedhjeve dhe pa u pastruar seriozisht Lista e përgjithshme e votuesve, e cila aktualisht i ka së paku 1/3 e votuesve fiktivë, kur dihet se pushteti i mëparshëm i ka pajisur me shtetësi mbi 500 mijë qytetarë jashtë Maqedonisë, të cilëve ligji aktual ua njeh të drejtën e votës. Me këtë, përqindja e banorëve shqiptarë në këtë shtet zvogëlohet dukshëm, nga 35-40% në afërsisht 25%, si edhe përfaqësimi i tyre në pushtet me 16%-19%, si pakicë kombëtare me të drejta të dozuara në përqindje nga pushteti.
2. Të mos lejojnë asnjë parti politike të merr pjesë në zgjedhjet parlamentare si e vetme, por me lista të përbashkëta të kandidatëve, në jo më tepër se dy blloqe të partive politike, të pozitës dhe opozitës. Më e dobishme do të ishte partitë poltike të shqiptarëve të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe të tjera me lista të vetme dhe të përbashkëta të kandidatëve për deputetë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, duke garantuar edhe votim me lista të hapura.
3. Nga partitë politike të kërkohen reforma të brendshme thelbësore, ku do të të dominojnë kuadrot e pakomprometuar, të përgatitur profesionalisht dhe të dëshmuar në mbrojtjen e interesave të përgjithshme të popullit shqiptar, jo karrieristë, individualishtë, individë të përfshirë në afera korrupsioni dhe të dyshuar për krime.
4. Të gjitha partitë politike ekzistuese dhe ato që do të formohen në të ardhmen ta mbështesin aktivitetin e tyre në një Platformë të përbashkët (të përgatitet dhe nënshkruhet një Platformë e re, ose të plotësohet Platforma e vitit 2017), duke i harmonizuar programet e partive politike me qëllimet dhe detyrat kryesore të saj.
5. Me çdo kusht të formohet Këshilli kordinues i partive politike shqiptare, ose një organ i ngjashëm, i pranueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare, në të cilin mund të marrin pjesë edhe përfaqësues të disa institucioneve dhe asociacioneve relevente të shqiptarëve në Maqedoni, vendimet e të cilit do të jenë të obligueshme për të gjitha partitë politike dhe para të cilit do jepnin llogari për punën e tyre.
6. Vendim për mënyrën dhe kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje, si dhe për përcaktimin e kushteve për pjesëmarrje në Qeveritë e ardhshme të sjell Këshilli kordinues i partive politike të shqiptarëve, me shumicë votash.
7. Secila nga partitë politike të shqiptarëve ka të drejtë të vendosë në mënyrë të pavarur për punën dhe mënyrën e veprimit të saj në të ardhmen, por asnjërës prej tyre nuk duhet t’i lejohet si e vetme të thirret në emër të popullit shqiptar, në interesat e shumicës së qytetarëve shqiptarë, të cilët do t’i mbështesin punën dhe vendimet e Këshillit kordinues të partive politike dhe të subjekteve të tjera jopolitike shqiptare në Maqedoni.
Kjo është rruga më e vështirë, meqë atë e do ta kundërshtojnë dhe sabotojnë me të gjitha mjetet qarqet antishqiptare dhe disa nga shërbimet e huaja sekrete, si edhe disa nga liderët shqiptarë në skenën politike aktuale në shërbim të tyre, por kjo është rruga e vetme dobiprurëse që siguron sukses, perspektivë në të ardhmen dhe forcimin e faktorit shqiptar në këtë shtet, në rajon dhe më gjerë.
Asnjë popull nuk mund ta farkojë fatin dhe ta shkruaj vetë historinë, nëse është i mashtruar, i shantazhuar dhe i ndaluar ta planifikojë të ardhmen e tij!