Shqiptarët si emigrantë përballë serbëve si refugjatë

0

Muharrem Salihu

Gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shqiptarët autoktonë në Serbi, kryesisht nga komunat shqiptare Medvegjë, Bujanoc e Preshevë u shpërngulën masivisht në Kosovë. Nga ana tjetër edhe serbë të Kosovës u zhvendosën drejt Serbisë. Shqiptarët e Medvegjës dhe të Luginës së Preshevës që përtej vullnetit të tyre u detyruan të zhvendosen në Kosovë pas vititit 1999, nuk u regjistruan kurrë si refugjatë. Ata jo vetëm nuk u trajtuan si të zhvendosur të përkohshëm, por as nuk u regjistruan në mënyrë sistematike nga ndonjë institucion shqiptar apo ndërkombëtar. Shqiptarët e Serbisë thjeshtë u trajtuan si emigrantë vullnetarë, ndërsa nga ana tjetër serbët e Kosovës që u zhvendosën në Serbi në të njëjtën periudhë, u kategorizuan dhe u regjistruan si refugjatë.

Sipas UNCHR-së, Agjensia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, “një refugjat është dikush, i cili është detyruar të lërë vendin e tij për shkak të persekutimit, luftës ose dhunës. … lufta dhe dhuna etnike, fisnore dhe fetare janë shkaqet kryesore të refugjatëve që largohen nga vendet e tyre”. Ndërsa sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, “një emigrant është dikush i cili ka ndërruar vendin e tij të rezidencës aktuale, pavarësisht arsyes për emigrim ose statusit legal”. Mjafton leximi i këtyre rreshtave për të kuptuar diskriminimin që ju është bërë shqiptarëve të Serbisë, shkeljen e të drejtave të tyre themelore dhe trajtimin e tyre ndryshem në krahasim me serbët e Kosovës.

Faktorët e zhvendosjes së popullatës shqiptare nga Serbia në Kosovë dhe të serbëve nga Kosova në Serbi, pas mbarimit të luftës në Kosovë, tashmë janë të ditura dhe publike. Por, qoftë në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, të dy këto zhvendosje u tematizuan dhe u trajtuan në mënyra krejtësisht të ndryshme dhe me dy statuse ndryshe. Si rrjedhojë, janë dëgjuar shpesh përfaqësuesit serbë të shprehen: “shqiptarët e Medvegjës kanë shkuar në Kosovë”, a thua se ata vajtën për dëshirë. Por, as nuk janë dëgjuar dhe as nuk pritet të dëgjohen, që të flasin për shkaqet që i detyruan qytetarët shqiptarë të Medvegjës dhe komunave të tjera shqiptare në Serbi që të shkojnë në Kosovë.
Trajtimi i shqiptarëve të Serbisë si emigrant, nuk është një trajtesë e rastësishme, apo një “gabim” konceptual njerëzor. Përkundrazi, është një përllogaritje e mirëmenduar, si pjesë e një plani afatgjatë për t’i larguar ata përgjithmonë nga Medvegja dhe më pas nga Bujanoci e Presheva. Të qënurit emigrant, i detyron shqiptarët që të aplikojnë për leje të përkohshme apo të përhershme qëndrimi dhe në mungesë të dokumentacionit nga vendi i origjinës, ato nuk mund të pajisen me dokumenta në vendin pritës.
Shqiptarët e Serbisë të shpërngulur në Kosovë, nuk u pajisën asnjëherë me dokumenta nga shteti serb, për pasojë ata mund të pajiseshin me dokumenta në Kosovë, gjë e cila preku edhe të lindurit e këtyre familjeve në Kosovë. Ndaj shqiptarët e Medvegjës dhe Luginës, që janë banorë të përkohshëm në Kosovë, mbetën të huaj si në vendlindje edhe në Kosovë.

Dhe Serbia, në vazhdën e trajtesave diskriminuese të shqiptarëve, prej më shumë se 5 vitesh, po aplikon pa zhurmë dhe pa u shqetësuar prej askënd, çregjistrimin e shqiptarëve medvegjas përmes pasivizimit të adresave. Dhe të qënurit e këtij grupi shqiptarësh pa dokumenta, ka ndihmuar çregjistrimin e tyre në Serbi dhe ka penguar kthimin e tyre në vatrat e të parëve në Medvegjë, Bujanoc apo Preshevë.

Ndërsa po të ishin/jenë trajtuar si refugjatë shqiptarët e Serbisë që u zhvendosën për shkak të luftës në Kosovë, atyre do t’ju garantohej mbrojtje edhe nga organizatat ndërkombëtare që trajtojnë çështjen e refugjatëve; do të kishin të drejtën e azilit, të drejtën e trajtimit si çdo i huaj që është rezident ligjor, të drejtën e ushtrimit të lirive njerëzore si mendimi, lëvizja; të drejtën e pajisjes me dokumenta udhëtimi për të levizur jashtë shtetit, etj. Në këtë mënyrë do ishin të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar dhe nuk do të humbisnin identitetin e tyre si shtetas në vendin e origjinës.

Situata e shqiptarëve të Serbisë dhe e serbëve të Kosovës është trajtuar qëllimisht me dy standarde, në dëm të shqiptarëve, duke i lënë këta të fundit, në mëshirë të fatit, pa përkrahje dhe pa mbështetje. Tashmë kur qënia ekzistenciale e medvegjasve dhe shqiptarëve të Bujanocit e Preshevës është vënë më shumë se kurrë në rrezik, lind nevoja imediate që shqiptarët autoktonë nga tre komunat shqiptare në Serbi që jetojnë në Kosovë, të mbrohen nga e drejta ndërkombëtare dhe të pajisen me dokumenta identiteti, që të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre njerëzore.