shkruan: Naser Pajaziti
Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj të fundit për shfuqizimin e metodologjisë së regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, vulosi faktin se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 29.52% të popullsisë, përfshirë diasporën që deri tani ishte konsideruar si “jorezidente”.
Pa përfshirjen e diasporës, shqiptarët ishin njohur zyrtarisht vetëm si 24.3%, dhe pikërisht kjo shifër ishte marrë për bazë për çdo projeksion shtetëror – në përfaqësim, zhvillim, investime dhe vendimmarrje.
Gjykata konstatoi se kategorizimi i popullsisë në “rezident” dhe “jorezident” nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe me Kushtetutën e vendit.
Ky vendim shkaktoi reagime të menjëhershme politike dhe nisma për organizimin e një regjistrimi të ri të përshpejtuar, me pretendimin se duhen të dhëna të “besueshme”, pasi organizatorët e regjistrimit të vitit 2021 (Enti Shtetëror i Statistikave) kishin bërë shkelje ligjore, duke e bërë procesin të paligjshëm.
Por pika kyçe e gjithë kësaj kthese është 29.5 përqindëshi – sepse kjo shifër përmbys ekuilibrat politikë, buxhetorë dhe përfaqësues në vend.
Prandaj, çdo përpjekje për regjistrim të ri të shpejtë apo “elektronik”, i shtyrë nga interesa politike, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe pa garanci ndërkombëtare, duhet parë me shumë kujdes.
Regjistrimi është akt demokratik, jo instrument manipulimi. Andaj edhe bashkësia ndërkombëtare varet se a do të lejoj një numërim të ri të popullsisë në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën tensione politike e etnike.
Dhe sigurisht koha më ideale do të ishte që shteti të përforcoj kapacitetet për regjistrimin e rregullt në vitin 2031.
Ndërsa, pikërisht tani, politikanët shqiptarë duhet ta dijnë takatin e tyre, sepse kjo çështje e ndjeshme nuk është politikë apo pazar ditor. Mjaft më me rolet dhe skemat pas kuintave. Nuk mund t’i bëjnë ison çdo nisme që u serviret, kur në thelb cenon interesin kombëtar dhe përfaqësimin real!
Andaj shtrohet pyetja a na konvenon një regjistrim i shpejt, elektronik apo ai i rregullt në vitin 2031?