Shqiptari qëndroi në Bullgari pasi theu këmbën, arrin sukses si aktor, luan krah yjeve hollivudianë

Shqiptari Leart Dokle po arrin shumë sukses në Bullgari. Ai e nisi karrierën si aktor pasi u shpërngul me familjen në Bullgari. Learti është bërë pjesë e një sërë prodhimesh të rëndësishme vendase dhe të huaja.

Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ai rrëfeu historinë që fshihet pas shpërnguljes në Bullgari.

“Shpërngulja erdhi për disa aspekte praktike dhe rrjedhim jetik. Në fillim vinim sepse motrat e mia ishin studente në Bullgari. Babai filloi dhe punë të ndryshme këtu. Në një nga vizitat tona në Bullgari, theva këmbën dhe më duhej që të bëhesha operacion. Më duhej të rrija për kontrolle.

Prindërit vendosën që të transferohem në Bullgari që të shikoj se si do të zhvillohet këmba sepse isha 1 vit e dy muaj me paterica. Më pas ngelëm këtu.”, tregoi ai. Sot Learti Dokle bën pjesë në grupin teatral të Teatrit Popullor “Ivan Vazov”. Përveç teatrit, ai ka një karrierë të suksesshëm dhe në kinema.

Ai thotë se nuk i ndan njëra nga tjetra dhe punon me kënaqësi edhe në dy drejtimet. Learti ka luajtur gjithashtu dhe në një film krah yjeve Salma Hayek dhe Adrien Brody-t që janë edhe producentë ekzekutivë të “Septembers of Shiraz”.

Së fundmi është bërë pjesë e një seriali bullgar, ku ka rol kryesor. Seriali ka nisur xhirimet dhe sipas tij, pritet që të transmetohet së shpejti në një nga televizionet vendase.