Mbreti Charles i Anglisë ka shpallur listën me personat që do të dekorohen me urdhrin e dytë më të lartë të Mbretërisë.
Titulli me akronimin OBE, njihet në anglisht si “Officer of the Most Excellent Order of the British Empire”, është krijuar në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore nga ish-Mbreti Xhorxh i Pestë.
Ky titull është i pari që Monarkia britanike i jep shqiptarëve dhe më konkretisht zonjës Remzije Zeka Sherifi, me origjinë nga Kosova. Emrat e të dekoruarve shpallen në gazetën zyrtare të mbretërisë dhe qeverisë, në këtë rast edhe të Skocisë si dhe ne publikimet ditore të shtypit.
Remzije Zeka Sherifi është nga Gjilani dhe ka shkuar në Skoci në vitin 1999 kur u evakuua nga një kamp në Maqedoni. Deri në vitin 1992, kur u përjashtua nga puna, Remzija ka punuar si gazetare dhe producente në radio. Ajo është bashkëthemeluese e Albscott, shoqata shqiptare/skoceze (1999) dhe për më shumë se 20 vjet ajo ka drejtuar një organizatë kyçe të refugjatëve në Skoci, Maryhill Integration Network (MIN) për të mbështetur të drejtat e refugjatëve, si e drejta për të votuar, e drejta për të punuar etj, dhe për të krijuar një mjedis unik, të sigurt, mikpritës dhe gjithëpërfshirës.
Në 2013 ajo është vlerësuar me një tjetër çmim të madh si “Gruaja Emigrante e Vitit” në Britani, ndërkohë në 2017 ajo ka qenë në mesin e 10 “Grave të Shquara të Skocisë’. Ky titull vjen dhe merr një vlerë të shtuar në kohën kur ka një fushatë të madhe kundër emigrantëve dhe atyre shqiptarë në Britani.
Ndër njerëzit e njohur që kanë marrë këtë titull është edhe shkrimtarja britanike JK Rowling, autore e serialit të famshëm Harry Potter, apo futbollisti David Beckham.