Shtatë motra nga Shkupi mbështesin familjet duke bërë fli

Flia, një ndër shijet më të rëndësishme të kuzhinës shqiptare, pavarësisht një procesi të lodhshëm të përgatitjes vazhdon të dekorojë tavolinat.

Ky specialitet i veçantë nga brumi që zakonisht është pjesë e kuzhinës kosovare, përgatitet edhe në pjesët veriore të Shqipërisë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e ndryshme ku jetojnë emigrantë shqiptarë.

Sipas tregimeve lidhur me flinë, një pjesë e pandashme e kuzhinës shqiptare, është se për gatimin e saj, e cila më parë konsumohej shpeshherë, me punë është filluar që në mëngjes, ndërsa burrat për arsye se kanë pasur shumë kohë derisa të kthehen kanë marrë disa shtresa të flisë para se të nisen për në punë, një metodë e quajtur “hiq e piq”.

Ndërkaq sot, zakonisht flia konsumohet në ditët e veçanta ose u shërbehet mysafirëve. Sipas disa burimeve data 18 mars konsiderohet si Dita Tradicionale e Flisë.

– Përbëhet nga mielli, uji, kripa, kajmaku dhe gjalpi

Procesi i gatimit të këtij ushqimi, i cili bëhet nga qulli i përbërë vetëm nga mielli, uji dhe kripa, zgjat rreth 3 orë.

Flia më pas bëhet nga shtresat e renditur në tepsinë e cila është lyer me gjalpë, kurse përveç kajmakut mund të gatuhet edhe me gjalpë ose vaj në varësi të preferencave.

Çdo shtresë e qullit të renditur në tepsi, fillimisht piqet nëpërmjet saçit të nxehur në dru, gjë që zgjat rreth dy orë e gjysmë, kurse më pas tepsia lihet mbi prush për t’u pjekur.

– Shtatë motra mbështesin familjet duke bërë fli

Një familje me origjinë kosovare që jeton në Shkup të Maqedonisë së Veriut, flinë e cila është pjesa e traditave të tyre, mundohen ta mbajnë gjallë traditën e flisë duke ua ofruar klientëve nëpërmjet biznesit familjar.

Advije Berisha Rexhepi, në deklaratën për Anadolu Agency (AA), tha se flinë të cilën e kanë gatuar që në fëmijëri dhe e kanë konsumuar me kënaqësi mundohen që 1 vjet ta ruajnë traditën.

Sipas saj, flia ka një proces të veçantë, ku përgatitet qulli nga mielli, uji dhe kripa, ndërsa qulli duhet të përzihet mirë që të mos mbeten copa mielli.

Ajo tregon se gatimi zgjat rreth 3 orë. “Ne jemi rritur me fli, e mbaj mend qysh e vogël kemi bërë çdo herë. Dhe se kemi pasur aspak rëndë. Sepse ka gatuar nëna, e kemi parë si bëhet. Nuk e kemi pasur rëndë që ta përgatisim. Veçse tani është përkushtimi më i madh sepse kemi qejf të jenë të gjithë të kënaqur sikur ne që e kemi shijuar me kënaqësi flinë kur e kemi ngrënë”, u shpreh Rexhepi.

Për arsye se janë shtatë motra, Rexhepi tregon se biznesin e tyre familjar e kanë emëruar “Seven Sisters Bakery”, gjë që ka tërhequr vëmendjen e klientëve të tyre, ndërsa me kontributin e dy vëllezërve të tyre kanë arritur një ambient të mirë pune dhe se kontribuojnë në ekonominë familjare duke e ruajtur këtë traditë.

Duke folur për sekretin e pëlqimit të klientëve, Rexhepi tha: “Jemi shumë motra, punojmë me kënaqësi, secila e jep mundin, vullnetin e vet. Edhe pse kemi obligime tjera, prapë i përkushtohemi shumë punës me flia që të gjithë klientët të jenë të kënaqur”.

Përveç shqiptarëve, sipas saj, edhe kombësitë të tjerë porosisin fli, ndërsa kanë dërguar flia në vende të ndryshme, përfshirë edhe Turqinë.