Shtëpia e Bardhë i del në mbrojtje kërkesës së presidentit Trump për Ukrainën

0

Shtëpia e Bardhë i doli në mbrojtje të dielën kërkesës së Presidentit Donald Trump për Ukrainën për të hetuar njërin nga rivalët e tij kryesorë politikë demokrat të vitit 2020, ish Zëvendës Presidentin Joe Biden, duke thënë se kërkesa nuk ka përmasat e një veprimi që mund të çojë në shkarkimin e presidentit.

“Asgjë nuk do të çojë në një krim të lartë apo shkelje të rëndë”, i tha CNN-it një nga këshilltaret kryesore të Presidentit, Kellyanne Conway. Ajo po i referohej standardit për fajësimin e një presidenti amerikan disa ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi procedurat për hetimin që synon të shkarkojë Presidentin Trump mbi veprimet e tij të lidhura me Ukrainën.

Por zonja Conway tha se ajo nuk ishte në dijeni nëse Presidenti Trump kishte kushtëzuar fillimisht lëvrimin e 391 milion dollarëve ndihma ushtarake për Ukrainën në këmbim të hetimit nga Kievi të zotit Biden, punës së djalit të tij Hunter Biden për kompaninë ukrainase të gazit natyror, Burisma, si dhe një aludim se Ukraina , dhe jo Rusia, ishte ajo që kishte hakeruar kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat në përpjekjet për të ndihmuar në mposhtjen e Trumpit në zgjedhjet e vitit 2016.

“Kam besim të them se Trumpi asnjëherë nuk përmendi një quid pro quo apo zgjedhjet e 2020” në telefonatën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në fund të korrikut, tha zonja Conway.

“Të tregohemi të sinqertë….,” shtoi ajo, “asgjë në telefonatë nuk përmend që do të mbahet pezull ndihma. Ata e morën atë”.

Demokratët i kundërshtuan pohimet e Shtëpisë së Bardhë. “Kongresi miratoi fonde për ndihmë të huaj për Ukrainën, dhe presidenti i mbajti në mënyrë të paligjshme këto fonde,” i tha kanalit ABC ligjvënësi Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në CNN, zonja Conway tha se Presidenti Trump ka “besim të madh” tek komuniteti i inteligjencës amerikane. Por ajo nuk pranoi të thoshte nëse Presidenti Trump beson në përfundimin e këtij komuniteti se Moska, dhe jo Ukraina, ndërhynë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 për ta ndihmuar atë të mposhtte demokraten Hillary Clinton.

Disa zyrtarë të administratës Trump të sigurimit kombëtar dhe diplomatikë u kanë thënë hetuesve të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve se Trump kishte pezulluar përkohësisht lëvrimin e parave që Kievi donte si ndihmë në luftimin e separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit në një përpjekje për t’i bërë presion Ukrainës të hapte hetime për ta ndihmuar atë politikisht.//VOA