Shtetasit shqiptarë nuk duan të largohen nga Ukraina

Iliria News Agency
Iliria News Agency

17/02/2022

Shtetasit e Shqipërisë që jetojnë në Ukrainë, nuk kanë shprehur ende interesim për t’u larguar nga ky vend, me gjithë frikën për një pushtim të mundshëm nga Rusia.

Tensionet midis dy vendeve janë të larta dhe këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka paralajmëruar se sulmi mund të ndodhë “në çdo moment”.

Për pasojë, disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që jetojnë në Ukrainë, të largohen nga ky vend.

Numri i shtetasve shqiptarë në Ukrainë është i vogël, thotë për Radion Evropa e Lirë Albana Qehaja, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

“Mund të jenë dhjetëra, diku 30 ose 40. Shifra nuk është zyrtare ende”, thotë ajo dhe shton se, deri më tash, nuk ka pasur kërkesa për largimin e tyre nga Ukraina.

Një shtetas shqiptar që, tash e tre vjet, jeton në këtë vend të Evropës Lindore, është Devis Xama.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë nga qyteti Lviv i Ukrainës, 34-vjeçari thotë se, tash për tash, nuk ndihet i rrezikuar.

“Çdo shtëpi ka nxjerrë nga një flamur në ballkon, çdo televizion paraqet ceremoni të ndryshme që mbahen në Kiev për këtë ditë”, thotë Xama, duke iu referuar 16 shkurtit – datë të cilën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka shpallur Ditë të Unitetit.

“Marketet punojnë, njerëzit shkojnë në punë, shkollat punojnë normalisht”, tregon Xama, i cili punon për një kompani amerikane.

Qyteti ku jeton ai, ndodhet dhjetëra kilometra larg kufirit me Poloninë. Ai thotë se ka kontaktuar me Ambasadën e Shqipërisë në Poloni dhe se është përgatitur që, në rast të përshkallëzimit të situatës, të largohet përmes Polonisë.

“Normalisht që nëse ata [rusët] do të vijnë, do të largohemi”, thotë Xama.

“Nën kambanat e luftës”, Kievi mban pamjen e normalitetit
Shqiptarët në Ukrainë nuk e ndiejnë rrezikun e luftës
Në Lviv, së voni, është zhvendosur edhe bashkëvendasi i Xamës, Mariglen Kadiasi, 30 vjeç.

Ai ka jetuar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, qysh në vitin 2019, për t’u larguar drejt qytetit perëndimor pas, siç thotë, rritjes së tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Me dëshirën time dhe të bashkëshortes sime nuk do të largoheshim”, thotë ai, por shton se kjo mund të ndryshojë nëse situata përkeqësohet.

Ngjashëm edhe Alban Cali – një tjetër shtetas shqiptar që jeton në Ukrainë për më shumë se 6 vjet – thotë se nuk planifikon të largohet, së paku tash për tash.

“Jam në marrëdhënie pune, kam njerëz nën vartësi dhe situata nuk është aq kritike saqë të largohem tani”, thotë Cali për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, qysh më 13 shkurt, u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që “të largohen sa më parë nga Ukraina”.

Megjithatë, MPJD-ja nuk ka bërë të ditur se sa është numri i qytetarëve kosovarë që jetojnë në Ukrainë dhe tash për tash nuk ka asnjë informacion për lëvizjen e mundshme të tyre.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, thirrje të ngjashme për shtetasit e tyre kanë lëshuar edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Rusia, qysh në fund të vitit të kaluar, ka grumbulluar ushtarë në kufijtë lindorë dhe veriorë të Ukrainës.

Sipas inteligjencës amerikane, numri i forcave të mbledhura atje ka arritur tashmë në rreth 130,000.

Rusia mohon se ka plane për pushtimin e Ukrainës dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj.

Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.

SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës./REL

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

Kongresi Senati Amerikan SHBA

Në ankth për Ballkanin, SHBA-ja aspiron angazhim të shtuar

lindita ahmeti

ITSHKSH përkujtoi studiuesen Lindita Ahmeti

vucic kurti

Vuçiq ankohet në OKB: punët e Maqedonisë së Veriut s’i pengon Serbia, por Albin Kurti

mira murati

Mira Murati bëhet zyrtarisht pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

vucic un

Vuçiqi vazhdon me ”përalla”, pretendon se shtypja ndaj serbëve në Kosovë është shtuar

Specializantët privatë pezullojnë përkohësisht grevën: Nuk do të ndalemi deri në zgjidhjen e problemeve tona

Caroline Ziadeh

Shefja e UNMIK-ut: Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë

vucic vjosa osmani

Nis seanca për Kosovën në OKB, Osmani përball Vuçiqit

naim-bajrami

ASH: Ranë maskat, Mickoski shpalosi bashkëpunimin që ka me opozitën shqiptare

INFO

NA NDIQ