Shteti i drogës në zemër të Evropës

0

Holanda fillon të duket si një shtet narkotikësh me një polici që nuk është në gjendje të luftojë shfaqjen e një ekonomie paralele të paligjshme, paralajmëron raporti i sindikatës policore holandeze.

Shifrat zyrtare tregojnë se krimi është në rënie, por policët thonë se shumë viktima kanë ndërprerë raportimin e incidenteve, ndërsa kriminelët e organizuar kanë marrë kontrollin në rrugë.

Shumica dërrmuese e ekstazës në Evropë dhe SHBA vjen nga laboratorët në jug të vendit, të cilët gjithnjë e më shumë po menaxhohen nga bandat marokene të përfshira në prodhimin e kanabisit. Gjysma prej 5.7 miliardë euro e konsumit vjetor të kokainës në Evropë vjen nëpërmjet portit të Roterdamit, pohon Europol.

Sindikata e policisë holandeze dëshiron të punësojë 2,000 policë shtesë dhe kritikët karakterizojnë pohimet për rritjen e krimit të organizuar si një përpjekje për të fituar më shumë para nga qeveria qendrore.

“Vetëm një nga nëntë kriminelët mund t’i ndalim me resurset aktuale”, thotë raporti i De Telegraaf. “Detektivët shohin kriminelët e vegjël duke u zhvilluar në sipërmarrës të pasur duke u fokusuar në industrinë e mikpritjes, tregun e shtëpive, klasën e mesme, agjencinë e udhëtimit”, vijon raporti.

Kritikët e politikës së tolerancës për shitjen e kanabisit në kafene dhe statusi ligjor i prostitucionit në vend pohojnë, se Holanda është rastësisht shndërruar në qendrën kryesore të trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, transmeton KosovaPress.

Shefi i policisë në Amsterdam, Pieter-Jaap Aalbersberg, thotë se kolegët e tij kanë shpenzuar 60% deri 70% të kohës duke tentuar të thyejnë lidhjet ilegale të bandave.

“Të rinjtë janë të gatshëm të kryejnë atentate për vetëm tre mijë euro, derisa në të kaluarën vrasësit profesionalë vinin nga diaspora për 50.000 euro”, tha Albersberg. “Viteve të fundit shohim djemtë nga  Amsterdami.”

Holanda shpenzon mesatarisht 267 milionë euro në vit dhe posedon fondin prej 100 milionë eurosh për të luftuar krimin e organizuar, por kjo është e pamjaftueshme për të luftuar krimin dhe drogën.