Shtrenjtohen çmimet, varfërohet shporta e konsumatorëve

0

Sipas përllogaritjeve që kanë bërë së fundmi sindikatat në Maqedoninë e Veriut, shporta konsumuese e një familjeje katër anëtarëshe arrin vlerën prej rreth 550 eurosh, ndërkohë sipas të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, paga mesatare gjatë muajit korrik ishte në vlerë prej 436 eurosh.

Gjatë muajit gusht të këtij viti, shpenzimet për jetesë janë rritur për 0.5 për qind, krahasuar me muajin korrik, ndërkohë që çmimet në pakicë të produkteve në dyqane janë rritur për 0.8 për qind.

Gjatë gushtit të vitit 2020, është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike për 7.4 për qind. Sa i përket produkteve ushqimore, ka pasur shtrenjtim të qumështit me 0.5 %, djathi dhe gjiza janë shtrenjtuar për 0.2 %, çmimi i orizit është rritur për 0.4 %, ndërkaq ai i birrës ka shënuar rritje prej 0.3 %.

Në rritjen e çmimeve rritjen e shpenzimeve të jetesës ka ndikuar në formë të drejtpërdrejtë rritja e çmimit të energjisë elektrike, thotë për Radion Evropa e Lirë Arianit Xhaferi, i cili është njëri nga organizatorët e protestave që u mbajtën nga organizatat joqeveritare dhe partitë e opozitës, kundër shtrenjtimit të rrymës.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike si për amvisëritë ashtu dhe për industrinë, sigurisht se ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve, por edhe shërbimet për qytetarët për faktin se rritet kostoja e prodhimit”, thotë Xhaferi.

Xhaferi thotë se në kohë të pandemisë së koronavirusit, shumë biznese dhe qytetarë po përballen me vështirësi ekonomike, andaj sipas tij, nuk është dashur të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike.

“Qytetarët muajin e fundit ankohen jo vetëm për faturat e larta të energjisë elektrike, por edhe për shkak të shtrenjtimit të produkteve. Shporta familjare është varfëruar sepse tani gjithnjë e më shumë ajo po zbrazet sepse me të njëjtat para mund të blejnë më pak gjëra”, thotë Xhaferi.