Shqiptarët e Luginës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) të cilët janë shpërngulur kryesisht në Gjilan e rrethinë, si dhe në komunat tjera të Kosovës, po përballen me shumë sfida, si pasojë e mospajisjes me dokumente identifikimi.
Pamundësinë për integrimin e tyre nëpër sektorë të ndryshëm, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Gjilan, Kushtrim Kadriu, e konsideron fillimisht si shkelje e të drejtave elementare të njeriut, ai thotë se shumë herë kanë propozuar ndryshimin e Ligjit për Shtetësi por ende asgjë.
“Integrimi i tyre fillimisht është një shkelje e të drejtave elementare të njeriut që i bëhet nga Republika e Kosovës. Ne kemi propozuar shumë herë ndryshimin e Ligjit për Shtetësi , por që po bëhen katër vite të mandatit të tij qeverisës dhe nuk kemi asnjë lëvizje të vetme pozitive në këtë drejtim. Është premtuar dhe nuk është realizuar ende asgjë”.
Ai thekson se këta qytetarë janë pa shtetësi dhe nuk janë të evidentuar askund, dhe si rrjedhojë sipas tij, problemet me të cilat ballafaqohen janë të shumta.
“Problemet kryesore të cilat ballafaqohen këta banorë është mospajisja me dokumente identifikimi. Këta njerëz nuk mund të shkojnë në shkolla, këta njerëz nuk mund të marrin leje të vozitjes, këta nuk mund të lidhin kontrata pune dhe nuk gëzojnë asnjë të drejtë në Republikën e Kosovës.
Sipas Kadriut, ky numër vazhdimisht është rritur, presioni që ka bërë Serbia i ka detyruar shqiptarët t’i lëshojnë shtëpitë e tyre.
“Statistikë për numrin e banorëve të dëbuar nga Lugina, nuk kemi për shkak se nuk është organizuar ndonjë regjistrim në të kaluarën. Pra, nuk ka regjistrim viteve të fundit, mirëpo në vitin 2006, është bërë një regjistrim nga shoqata ‘Vatra’ janë 11 mijë e 560 qytetarë, por ky numër ka shkuar vazhdimisht duke u rritur”, ka thënë ai.
Vlen të theksohet se Kushtrim Kadriu, është përzgjedhur si koordinator i parë i Zyrës për Luginë pranë zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 29 dhjetor të vitit 2021 ka miratuar një koncept-dokument për shtetësinë, mirëpo që nga ai vit nuk ka ende asgjë konkrete rreth pajisjes së shqiptarëve të Luginës me shtetësi të Kosovës./Lapsi.info