Si e shpëtoi bibliotekën perandorake nga zjarri Sabri Tetovari

0

Një histori pak e njohur lidhur me Sabri Tetovarin – Kalkandelenin, të birin e Sheh Mustafa Tetovës, nënkryetarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). -Si e njohën Sabriun për nga dialekti i të folurit, asqerët (ushtarët) tetovarë në mesin e xhonturqve, kur sulmuan Bibliotekën perandorake në Stamboll. -Pse tetovari e kishte kthyer Sulltan Abdulhamidin II pa libër nga biblioteka

Ismail ARSLLANI

Sabri Tetovari – Kalkandeleni (1862-1943), i biri i Sheh Mustafa Tetovës, nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lindi në Tetovë, që asokohe i përkiste Vilajetit të Kosovës, në kuadër të Perandorisë Osmane. Ai ka qenë intelektual, poet dhe bibliotekist, dhe ishte deklaruar publikisht si shqiptar në Stamboll, ku edhe kishte ndërruar jetë më 8 prill 1943.

Në kohën e sundimit të sulltan Abdulhamidit II, nga viti 1888, Sabri Tetovari emërohet nëpunës shtetëror në Bibliotekën perandorake “Yildiz Saray”, ku më vonë bëhet edhe drejtor i saj, për të vazhduar me veprimtarinë bibliotekare nga viti 1925 deri më 1928 në Bibliotekën e Universitetit të Stambollit.

Babai i tij, ndryshe i njohur edhe si Mustafa Ruhi Efendiu, ishte nakshibend në një Teqe të Tetovës (është fjala për pronën e njohur ndër tetovarë si “Teqeja e Stoles”). Sabriu filloi arsimimin e parë te babai i vet, të cilit, në vitet e para të rinisë, iu bashkua gjatë luftës kundër forcave serbo-ruse. Me ftesë të Sulltan Abdulhamidit II, Mustafa Ruhi Tetova (Sheh Mustafa), me familjen emigroi në Stamboll në vitin 1881, ku kaloi tre vjet në një institucionin prestigjioz.

XHONTURQIT DESHËN TA DJEGIN BIBLIOTEKËN E STAMBOLLIT

Biblioteka “Yildiz Saray” në Stamboll, ku ka punuar Sabri Tetovari (Kalkandeleni), ka qenë shumë e pasur me libra të vjetër dhe mijëra dorëshkrime me vlerë të paçmuar. Pas rrëzimit nga froni të Sulltan Abdulhamidit II, shpalljes së Hyrijetit dhe Kushtetutës së re, në atë bibliotekë u sulën një kontingjent ushtarësh të pakënaqur me gjendjen nga Rumelia (pjesa veriperëndimore e Perandorisë), në mesin e të cilëve edhe shumë ushtarë shqiptarë nga Tetova, për ta plaçkitur dhe pastaj edhe për ta djegur këtë bibliotekë. Sabri Kalkandeleni, i cili përkujdesej për bibliotekën, në ato çaste dramatike kishte dalë përpara ushtarëve dhe ishte shtrirë në pragun e derës së bibliotekës, gjithë i lemerisur: “Vetëm mbi trupin tim të vdekur mund të hyni në bibliotekë!”

Disa ushtarë shqiptarë nga Tetova e njohën dialektin tetovar të Sabri beut dhe mësuan se ky ishte i biri i Sheh Mustafa Tetovës, ndaj të cilit kishin shumë respekt, për atë shkak dhe u tërhoqën, duke kërkuar falje për sjelljen e treguar. Kështu shpëtoi Biblioteka e madhe perandorake, me qindra mijëra libra e dorëshkrime me shumë vlerë nga plaçkitja dhe shkatërrimi.

Pas Luftës së Parë Botërore dhe shpalljes së Republikës së Turqisë, me urdhër të kryetarit reformator dhe themeluesit të Turqisë moderne, Kemal Ataturk, librat nga kjo bibliotekë në vitin 1925 u transferuan në Bibliotekën Universitare të Stambollit në Bajazid, ku Sabri Tetovari (Kalkandeleni), i emëruar drejtor, punoi bashkë me të birin Nuredinin, i cili vazhdoi profesionin e të atit deri më 1970.

PSE E REFUZOI TETOVARI SULLTAN ABDULHAMIDIN II

Sabri Tetovari (Kalkandeleni), të cilin e thërritnin “arnaut”, ka punuar në sektorin e librave islamikë, ndërsa pas vitit 1935 ka punuar në një komision për përpunimin e katalogëve të quajtur “Divana” dhe të veprave të tjera të Bibliotekës së Stambollit. Ai, krahas asaj që punonte aty, njëherësh ka shkruar mjaft vepra dhe poezi nga letërsia e ashtuquajtur “divane”. Ka qenë një bibliotekist i rreptë në përkujdesjen dhe ruajtjen e librave, për çka një kohë ishte sajuar një rrëfim që kishte marrë dhenë: “Me një rast, kur ka shkuar sulltan Abdulhamidi II në Bibliotekë për të marrë një libër të cilin donte ta lexojë në shtëpi, Sabri Tetovari e kishte refuzuar sulltanin, sepse një gjë e tillë (bartja e librave jashtë objektit) nuk lejohej me rregullat e Bibliotekës”.

Edhe i biri i Sabri Tetovarit (Kalkandelenit), Nuredin Tetovari, i cili kishte lindur në Stamboll në vitin 1902, njësoj si i ati kishte punuar si bibliotekist te babai. Edhe ky ishte deklaruar si shqiptar me kombësi, ndonëse kishte lindur në Stamboll. Vite më vonë, Nuredini ishte emëruar drejtor në Bibliotekën Universitare të Stambollit, ku kishte shërbyer deri në vitin 1970.