Si me ia spjeguar Hansit se në çdo moment mendja fluturon atje në vendlindje

Enver Gashi

Nuk e di a është kërkesë e natyrës së rëndomtë, apo do të tallen me mua?! Pse bre vëlla nuk e paralajmërojnë aterrimin në pistë të avionit 2-3 minuta më herët me zë pak më të lartë, apo t`i zgjojnë udhëtarët nga gjumi? Kështu më ndodhi për shumë herë me Kompaninë “WizzAir” e cila si zakonisht vonohet për shumë minuta dhe më pas kërkon falje për X arsye të panjohura për mua. Plus kësaj, stjuardesat maqedonase e shfrytëzojnë përkthimin falas të pasagjerëve pasi në këtë linjë nuk është e pranuar zyrtarisht gjuha shqipe për të cilën po krekosen politikanët tanë dhe e pyesin ndokend “Shto vika be ovoj, ne go razbiram”. Isha zgjuar në orën 03.30 minuta, për të kryer me kohë formalitetet administrative, paraprakisht gjithë natën nuk kisha fjetur duke u përshëndetur me të afërmit.

Të kthehem te arsyeja përse dua të bëj kërkesë të tillë. “Buuuum” u dëgjua prekja e rrotave të avionit me pistën, ndërsa unë dhe të tjerët që koteshim në gjumë u tmerruam. U zgjova dhe për disa sekonda isha i lemeritur se çfarë ka ndodhur. Duartrokitja e udhëtarëve më përkujtoi se gjithçka kishte përfunduar në rregull. Hansi kishte dal të më presë krahëhapur, pasi i kisha munguar në punë, pas pushimit dyjavësh që e kalova te Hasani.

Dua t`i falënderoj të gjithë ata që ndanë pak minuta kohë me mua për t`u çmallur me ta. Ishte një periudhë jashtzakonisht e bukur dhe emocionale që do të më mbetet në kujtime për një kohë të gjatë dhe jam i bindur se Hansi shpesh do të më paralajmëron “mos e ndal punën, përse je humbur, ku e ke mendjen?”. Si me ia spjeguar se në çdo moment mendja fluturon atje në vendlindje, atje ku edhe balta është më e ëmbël se mjalta…etj etj, refren shumë shpesh i përsëritur. Shihemi vitin e ardhshëm me shpresë se do të jemi të gjithë shëndoshë e mirë.