Ish-ambasadori francez në Shkup si më tha se shqiptarët janë mbi 35% në Maqedoni ?

0

(Titulli i autorit: Në prag të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë Veriore. Autori është profesor i njohur universitar i ekonomisë në Prishtinë)

Nga Prof.dr. Musa Limani

Shikuar historikisht, Maqedonia përherë kishte qëndrime antishqiptare, duke përfshirë edhe periudhën në ish Jugosllavi, si dhe pas shkëputjes nga Jugosllavia, përkatësisht edhe pas pavarësisë së saj si shtet i pavarur. Në ish Jugosllavi Maqedonia ndër të parët i paraprinte masave represive antishqiptare. Për shkak të hapësirës dhe shkrimit në gazetë, me këtë rast unë do t’i sjell vetëm disa raste, ku Maqedonia u pozicionua me masa represive ndaj shqiptarëve.

Ndër masa të tjera, si masë e represionit ndaj shqiptarëve në Maqedoni filloi rrënimi i mureve (rrethojave) të oborreve, që paraqet pikë mjaft të ndjeshme për familjet shqiptare. Me këtë rast u cenua integriteti familjar dhe kombëtar i popullatës shqiptare. Gjatë zbatimit të këtij aksioni, që nuk kishte kurrfarë baze juridike, duke thyerë edhe të drejtën zakonore si pjesë e legjislativit, me rastin e rrënimit të murit të një familje shqiptare në Kumanovë, me ç ‘rast familjari duke mbrojtur të mos ia rrënojnë murin gjënë vdekjen. Pas kësaj ngjarje, ndërpritet ky aksion famëkeq për shqiptarët. Masa tjetër me të cilën tentohej, përkatësisht kishte për qëllim të pengohej arsimi i shqiptarëve në gjuhën amtare në shkolla të mesme, ishte propozuar formimi i paraleleve të përziera (shqiptar-maqedonas e të tjerë), në të cilat mësimi duhej mbajtur në gjuhën maqedonase. Ky propozim nga shovinizmi maqedonas, “arsyetohej” me faktin se shqiptarët e din gjuhën maqedonase, e në këtë mënyrë do të kursehet në shpenzimet e mjeteve buxhetore.

E krejt kjo nismë kishte vetëm një qëllim. Të pengohet arsimi në gjuhën amtare, dhe në këtë mënyrë do të shuhet edhe ndjenja kombëtare e shqiptarëve. Andaj, duke pasur parasysh qëllimin shovinist maqedonas, kjo masë nuk mund të quhet ndryshe, pos raciste, antikombëtare dhe antinjerëzore ndaj popullatës shqiptare.

Ndërkaq, deri sa Maqedonia ishte republikë e ish Jugosllavisë as që mund të bëhej fjalë për hapjen e universitetit në gjuhën shqipe. Mirëpo, pas shkëputjes nga ish Jugosllavia, në një masë sikur ndryshoi klima antishqiptare, erdhi deri te ndryshimet sistemore me një lloj demokracie e pluralizëm politik, ku shqiptarët filluan të frimosin më lehtë. Në saje të këtyre ndryshimeve, shqiptarët morën iniciativën për hapjen e një universiteti privat në gjuhën shqipe në Tetovë. Ky propozim, nuk iu pëlqeu qarqeve shtetërore maqedonase, dhe ishin me këmbëngulje kundër hapjes së çfarëdo universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni. Mirëpo, shqiptarët nuk u tërhoqën nga kjo nismë dhe kërkesë e tyre dhe me protesta, pasi me rrugë legjitime nuk lejohej, u organizuan dhe kërkonin me çdo kusht hapjen e Universitetit në Tetovë. Me rastin e protestave, në fshatin Purojë, ku ishte publikuar hapja e Universitetit të Tetovës, vritet studenti Abdylselam Emini.

Andaj, në kontekst të kësaj, nuk është vështirë të nxjerrët konstatimi se, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë dhe në të gjitha trojet ku gjendeshin shqiptarët në kuadër të ish Jugosllavisë, në themelet e arsimit shqip gjendet gjak shqiptari. Kështu, themelimi i Universitetit të Tetovës më 1994, u pagua me gjak shqiptari (studenti).

Andaj, pos masave të sipër cekura, Maqedonia me qëllim të zvogëlimit të lëvizjeve natyrore dhe zvogëlimin e shtimit natyror të popullsisë shqiptare, nxjerr Rezolutën për planifikimin e familjes (Gazetë zyrtare e RSM”, nr. 48/1987). Sipas kësaj rezolute, në pjesët e banuara me shqiptar (lexo: që vlen vetëm për familjet shqiptare), duhej zbatuar politikë antinatalitare, kurse në territoret, përkatësisht familjet maqedonase dhe pakica tjera kombëtare, ishte propozuar të zbatohet politikë pronatalitare.

Madje, në këtë Rezolutë ishte paraparë modeli i familjes prej katër (4) anëtarësh, që vlente vetëm për shqiptarët. Me fjalë të tjera, me këtë model parashihej riprodhimi i thjeshtë demografik te shqiptarët, dy prindër dhe vetëm dy fëmijë, kurse te familjet maqedonase dhe pakicave tjera kombëtare, parashihej riprodhimi i zgjeruar demografik, duke stimuluar natalitetin. Më këto masa, Maqedonia donte të ndalonte rritjen (shtimin) e popullatës shqiptare nga frika se nesër ata do të jenë më shumë, duke e ditur se edhe kështu ishin thuaja sa edhe popullata maqedonase. Pjesë jo njerëzore, jo humane thjeshtë raciste e kësaj Rezolute, ishte propozimi, nëse lindë fëmiu i tretë, katërt etj. ata nuk do të gëzojnë shtesa fëminore, të drejtën në shkollim, në punësim etj. Tani vetvetiu shtrohej pyetja. P.sh. një familje shqiptare që ka një fëmijë, dëshiron të shkojë në fëmiun e dytë, dhe me këtë rast i lindin binek apo trenek, atëherë, çka duhet bërë me fëmijët mbi numrin dy? Me i “mbytë”, apo me ia birësuar dikujt tjetër?!! Këso masash nuk ka pasur as në Stejdapartmentin Jug-afrikan.

Lëvizjet natyrore të popullsisë nuk mund të ndalen me masa represive, ndëshkuese, përkufizuese etj. Ato, janë rezultat i nivelit të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të një populli. Andaj, vet zhvillimi ekonomik, punësimi, niveli arsimor, shëndetësor etj. vetvetiu ndikon edhe në korrigjimin e lëvizjeve natyrore, qoftë kur bëhet fjalë për natalitetin (lindje) apo mortalitetin (vdekjet). Askush, andaj as shteti e as familja nuk kanë kurrfarë të drejte t’iu përzihen çiftit bashkëshortor për numrin dhe intervalin e fëmijëve.

Në kontekst të kësaj duhet potencuar se me planifikim të familjes kuptojmë që në mënyrë të pavarur çifti bashkëshortor vendos për numrin dhe intervalin e lindjeve. Këto masa antinatalitare për shqiptarët në Maqedoni, ishin në kundërshtim të plotë me politikën e popullatave të ish Jugosllavisë, me të cilën favorizohej nataliteti (Titoja ishte kumbarë i atyre që kishin 9-10 fëmijë), si komponentë kryesore e lëvizjes natyrore të popullsisë. Mirëpo, sido që të jetë, me masat e parapara në këtë Rezolutë, Maqedonia shkeli të drejtat universale të njeriut, me këtë rast të familjeve shqiptarëve. Jo vetëm Maqedonia, por edhe Serbia, përkatësisht Akademia e Shkencave të Serbisë, po ashtu zhvillonte tezën antinatalitare për Kosovën dhe pronatalitare për Serbinë. Me këtë rast, shqiptarët e Luginës së Preshevës, fituan mjete të majme për shtesat fëminore, sepse Serbia me masa stimuluese favorizonte natalitetin.

Sipas njoftimeve mediale, Maqedonia Veriore në prill të këtij viti (2021), do të bëjë regjistrimin e popullsisë. Siç dihet, në çdo regjistrim të popullsisë në ish Jugosllavi, Maqedonia në mënyrë institucionale ka manipuluar, për mos me thënë e ka fshehur numrin real dhe faktik të popullatës shqiptare që jeton në Maqedoni. Gjatë përpunimit të të dhënave mbi regjistrimin e popullsisë në Entin Republikan të Statistikës, paraprakisht përcaktohej pjesëmarrja relative, e më pas nxjerrën numri absolut, për të treguar se shqiptarët në Maqedoni janë “pakicë kombëtare”, e jo popull i dytë për kah numri. Andaj, duke ditur qëndrimet antishqiptare të më parëshme,

ekziston frika që edhe tani në Maqedoninë Veriore, si shtet “demokratik” që ende ua mohon të drejtat elementare kombëtare shqiptarëve, të manipulohet me numrin real dhe gjendjen faktike të numrit të shqiptarëve si qytetar të këtij vendi.

Në Maqedoni, si dhe në Kosovë dhe viset e tjera etnike, jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze, shqiptarët janë popull autokton dhe jetojnë në troje të tyre etnike, den baba den. Për qëllime të saja politike Maqedonia, përherë ka manipuluar me numrin e popullatës shqiptare. Edhe pse për kah numri, popullata shqiptare në këtë vend, si në ish Jugosllavi ashtu edhe tani, ishte dhe është thuaja e barabartë me numrin e popullsisë maqedonase, por edhe për rreth kësaj, shqiptarët përherë u trajtuan si “pakicë kombëtare”. Siç dihet, edhe sot për kah numri, shqiptarët në Maqedoni përbëjnë popullatën e dytë, andaj si e tillë ajo nuk mund të prezantohet (llogaritet) si “pakicë kombëtare”, si e paraqet zyrtarisht ky vend.

Lidhur me këtë në vazhdim do të sjellim disa kundër argumente, për të demantuar të pa vërteten që Maqedonia zyrtare e prezanton për numrin e popullsisë shqiptare. Në vitin 1999, grupi i ekspertëve që ishim caktuar të jemi pjesë e Delegacionit të Kosovës në Rambuje, ndër ta isha edhe unë, shkuam në Ambasadën Franceze në Shkup për t’i marrë vizat Shengen. Ambasadori francez në këtë vit (1999), kishte një kohë qëndrimi prej pesë vitesh. Ai në bisedë e sipër ndër të tjera na tha se, ka shumë shqiptarë dhe e njeh mirë situatën në Maqedoni. Unë ndër të tjera e pyeta në gjuhën frënge. Pasi paske miq shqiptarë, a mund të na thoni se sa shqiptarë ka në Maqedoni?. Ai si diplomat pa u hamendur u përgjigj 25,0%. Jo i thash, ato janë të dhëna zyrtare, por ju që e njihni mirë gjendjen dhe situatën në Maqedoni, na thuani mendimin tuaj personal, që do të mbetet mes nesh (enter-nous). Ai, me këtë rast ishte i sinqertë dhe objektiv dhe u përgjigj. “Unë mendojë se në Maqedoni tani shqiptarët përbëjnë mbi 35,0% të popullsisë së përgjithshme në këtë vend”. Unë e falënderova për këtë përgjigje të tij, shumë reale e objektive. Një argument tjetër që tregon se numri i popullatës shqiptare nuk është aq sa e prezanton Maqedonia zyrtare me një pjesëmarrje prej 25,0%, por dukshëm më i lartë.

Para 2-3 vitesh KFOR-i në Kosovë doli me një deklaratë, ku thuhej se në Maqedoni popullata shqiptare, përbën mbi 42,0%, të popullsisë së përgjithshme të këtij vendi. Lidhur me këtë, unë sjellë edhe një të dhënë tjetër të pa kontestueshme, që demanton të dhënat publike të Maqedonisë, për numrin e popullatës shqiptare në këtë vend.

Në zgjedhjet e para në Maqedoni, të mbajtura më 11 nëntor 1990, numri i votuesve shqiptar sipas Komisionit Zgjedhor ishte 385 mijë persona. Ky numër do të jetë edhe më i madh, por shteti maqedonas nuk u kishte dhënë shtetësinë një numri të konsiderueshëm të popullatës shqiptare, me qëllim që të prezantojë numër sa më të vogël të votuesve.

Siç dihet, popullata shqiptare është më e reja në Evropë, pra edhe ajo në Maqedoni. Proporcioni në mes moshës së re dhe asaj madhore është 2. Atëherë nëse, më 1990, në Maqedoni numri i votuesve ishte 385 mijë, sipas kësaj që u tha më sipër del se, numri absolut i shqiptarëve në këtë vit do të ishte 770 mijë, do të thoja edhe më tepër ndoshta mbi 800 mijë, e jo 441 mijë shqiptarë sa e tregon Enti Republikan i Statistikave të Maqedonisë së Veriut në vitin 1994.

Pra, si mund të arsyetohet se, në vitin 1990, në Maqedoni kishte 385 mijë votues, e sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1994, numri gjithsej i popullsisë shqiptare të jetë vetëm 441 mijë banorë. Nga kjo del konstatimi se, në Maqedoni në një periudhë katër vjeçare, shtimi natyror i popullatës shqiptare të jetë vetëm 56 mijë banorë. Andaj, këto të dhëna e demantojnë plotësisht manipulimin zyrtar të Maqedonisë, për numrin absolut të shqiptarëve në vitin 1994, kur dihet se sipas normës së shtimit natyror, shqiptarët për një vit kanë shtim diku 40-50 mijë e më tepër banorë.

Në vazhdim sjellim të dhëna zyrtare (jo të sakta) të regjistrimeve të popullsisë dhe strukturën nacionale të popullsisë në Maqedoni.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1981, në Maqedoni numri gjithsej i popullsisë ishte 1.909.136 persona, nga ata 377.208 shqiptarë (19,8%), serb 44.468 (2,3%), bullgar 1.980 (0,1%) (Statisti?ki Godišnjak Jugoslavije, 1991, fq. 445).

Në Konferencën për shtyp në pres qendrën në Beograd Ante Popovski pohon se ne Maqedoninë e Veriut në vitin 1981 ka pasur 600 mijë shqiptarë, por jo 377.208 sa janë të dhënat publike te Maqedonisë.

Andaj, duke pasur parasysh të dhënat sipas Ante Popovski, e duke u mbështetur në normën e shtimin natyror të popullsisë shqiptare prej 24,0‰, del se në vitin 1991 në Maqedoni kanë qenë mbi 744 mijë shqiptarë, që përbënë 33,0% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së këtij vendi.

Madje, në vitin 1994 me normën e shtimit natyror të popullatës prej 20 ‰, në Maqedoninë e Veriut del se shqiptarë ka pasur 788.640 banor, ose 35,0% të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2001-2002 në Maqedoninë e Veriut kanë jetuar 509.038 banorë shqiptarë, që nuk është aspak reale pasi në vitin 1991 e deri në vitin 2002 me normë të shtimi natyror prej 18 ‰, numri i shqiptarëve do të arrinte në 802.296 banorë ose 35,0%, të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. (Burimi: Wikipedia, https://sq.m.wikipedia.org/wiki/Demografia_e_Maqedonis%C3%AB_s%C3%AB_Veriut

Andaj, duke u bazuar në të dhënat e cekura më sipër nga Wikipedia, thuaja se në tërësi përputhën me ato të cilat unë në këtë shkrim i potencova më lartë. Pra, të gjitha të dhënat e sipër cekura, tregojnë për manipulimin institucional të Maqedonisë për numrin real të popullatës shqiptare që janë qytetar të Republikës së Maqedonisë Veriore.

Maqedonia Veriore, jo vetëm me shqiptar, por ka manipuluar edhe me ekzistimin e pakicës bullgare. Siç e pamë më sipër, se në regjistrimin e popullsisë në vitin 1981, figuronte “pakica kombëtare” bullgare. Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, nuk figuron “pakica kombëtare” bullgare. Ajo, me siguri është përfshirë në rubrikën në të tjerë. Sipas këtij regjistrimi të popullsisë në Maqedoninë Veriore ekzistojnë këto pakica kombëtare: Shqiptarë, turq, rom, vlleh, serb, boshnjak, të tjerë, por jo edhe bullgar. Pra, si shihet “pakica kombëtare” bullgare është avulluar.

Lidhur me këtë kohëve të fundit shumë ashpër ka reaguar diplomacia e shtetit Bullgar, duke pohuar se në Maqedoni ekziston numër i konsiderueshëm i popullsisë bullgare. Andaj, është i pa mohushëm fakti se në Maqedoninë Veriore ekziston numër i konsiderueshëm i popullatës bullgare. Me sa unë e di, të gjithë mbiemrat që mbarojnë me “ov”, janë bullgar, a të tillë ka shumë, bile edhe në institucione e organe shtetërore të Maqedonisë Veriore.

Shqiptarët në Maqedoni, për herë kanë bërë orvatjeje, si në pikëpamje institucionale ashtu edhe me forma tjera (demonstrata, protesta etj.), për realizimin e të drejtave të tyre elementare kombëtare. Mirëpo, egoizmi dhe shovinizmi maqedonas, nuk i ka përfillur ato kërkesa dhe në këtë mënyrë në formën më vrazhdë janë përdhosur dhe shkelur të drejtat kombëtare të shqiptarëve, si popullatë më e vjetër dhe autoktone në këto troje. Qëndrimi anti shqiptar i Maqedonisë nuk ndryshoi as pas pavarësisë si shtet, e as me ndryshimet kushtetuese të vitit 1991.

Me rastin e procedurës për ndryshimin e kushtetutës, në vitin 1991, nga partitë shqiptare ishte kërkuar që shqiptarët në Maqedoni të trajtohen si popull konstituive, e jo si “pakicë kombëtare”. Mirëpo, këtë kërkesë të spektrit politik të shqiptarëve nuk e pranoi Kuvendi i Maqedonisë, në krye të të cilit ishte Stojana Andova. Në shenjë pakënaqësie, aprovimin e kësaj Kushtetute nuk e mbështetën 22 deputet shqiptarë, që tregon se shqiptarët nuk ishin të kënaqur dhe në dakord me statusin e tyre në Kushtetutën e Maqedonisë. Pasi nuk arritën që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë në mënyrë institucionale, dhjetë vite më vonë (2001), etniteti shqiptarë këtë kërkesë e shprehu nëpërmjet luftës etnike (UÇKSH) në Maqedoni.

Pas mbarimit të kësaj lufte, me qëllim që të arrihet paqja ndërmjet popullatës maqedonase dhe shqiptare dhe realizimi i të drejtëve kombëtare të etnitetit shqiptarë, u arritë Marrëveshja e Ohrit, më 13.08.2001, ndërmjet përfaqësuesit të Republikës së Maqedonisë dhe përfaqësuesit të Bashkimi Evropian. Më këtë marrëveshje ishte paraparë, pos tjerash, përdorimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, punësimi sipas proporcionit të pjesëmarrjes relative të popullsisë në popullsinë e përgjithshme etj. Mirëpo, edhe kjo Marrëveshje nuk u përfillë me dekade, edhe pse garantë ishte Bashkimi Evropian.

Andaj, nga ajo që u tha më sipër, nuk është vështirë të nxjerrët konstatimi se, Maqedonia duke mohuar të drejtat elementare kombëtare, dhe duke manipuluar me numrit real dhe faktik të shqiptarëve, ka bërë shkelje të rëndë (parexellance), të drejtave universale të njeriut.

Duke mos mohuar rezistencës e partive politike, mos angazhimi i tyre sa duhet ka bërë që pa kurrfarë problemi Maqedonia në mënyrë permanente dhe institucionale të shkelë të drejtët elementare kombëtare dhe të manipulojë me numrin real e faktik të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet (vend) edhe atë në trojet e tyre etnike. Nga e gjithë kjo që u tha deri më tani, duhet kërkuar llogari shtetit të Maqedonisë, për manipulimin e numrit të popullsisë shqiptare, do të thoja dhe të heqjes së “pakicës kombëtare” bullgare dhe futjen e tyre në të tjerë.

Andaj, duke pasur parasysh të gjitha keqpërdorimet dhe manipulimet me numrin e popullatës shqiptare, ekziston frika se edhe në regjistrimin e popullsisë që do të bëhet në prill të këtij viti në Maqedoni, do të vazhdohet me të njëjtin avazë, pra me manipulimin e numrit faktik të popullatës shqiptare në këtë vend.

Kryeministri i Maqedonisë z. Zaev, paralajmëroi se është përgatitur draft para projekti për regjistrimin e popullsisë, i cili ende nuk është aprovuar në Kuvend.

Mirëpo, ekzistojnë indikacione se sipas Kushtetutës në fuqi “të gjithë ata që nuk janë një vit brenda vendit, nuk do të regjistrohen si banor rezident të vendit”, që ekziston mundësia që kjo klauzolë të jetë edhe në para projektin për regjistrimin e popullsisë. Ky qëndrim vlen vetëm për “pakicat kombëtare”, e jo edhe për popullatën maqedonase. Siç dihet, numër i konsiderueshëm i shqiptarëve gjenden në diasporë, migrimi i të cilëve është bërë për shkaqe sociale. Andaj, , sipas qëndrimit të sipër cekur, prap do të manipulohet me numrin real të popullatës shqiptare në Maqedoni. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se edhe maqedonas ka në diasporë, por qëndrimi i më sipër nuk vlen për ata. Ja pra, kjo paraqet po ashtu një diskriminim nacional ndaj shqiptarëve dhe pakicave tjera në Maqedoni.

Si maqedonasit që përkohësisht janë të punësuar në vende të ndryshme të botës, kanë të drejtën e dyshtetësisë, po të njëjtën të drejtë duhet ta gëzojnë edhe shqiptarët dhe pakicat e tjera. Me këtë rast, popullata në diasporë, nuk do të përfshihet si banorë të Maqedonisë, por vetëm si numër statistikore. Kjo është jashtë çdo logjike, e pa pranueshme dhe juridikisht e pa justifikueshme. Nëse, kështu do të ndodhë me rastin e regjistrimit të popullsisë në prill të këtij viti, del se në mënyrë kontinuele e institucionale po manipulohet me numrin e popullatës faktike në Maqedoninë “demokratike”.

Andaj, me qëllim që të evitohet kjo dukuri raciste antishqiptare, spektri politik, veçmas deputetët e pozitës që janë në institucione dhe organe shtetërore, por jo më pak edhe partitë opozitare, si dhe institucionet shkencore, universitetet, intelektualët, studentët, shoqëria civile, mediat e shkruara dhe elektronike, si dhe vetë diaspora kanë për obligim moral e kombëtare, që ta luftojnë çdo keqpërdorim dhe manipulim të popullatës shqiptare.

Pra, të gjitha struktura shqiptare, nga institucionet ndërkombëtare, veçmas nga BE-ja, Këshilli i Kombeve të Bashkuara, SHBA dhe të gjitha organizatave dhe institucioneve tjera ndërkombëtare, duhet të kërkojnë, që mos të ndodhë shkelja e të drejtave universale e kombëtare e shqiptarëve me rastin e regjistrimit të popullsisë në këtë vit, siç ka ndodhur me regjistrimet paraprake. Me qëllim të realizimit të keqpërdorimeve, duhet kërkuar që regjistrimi i popullsisë të mbikëqyret nga faktori ndërkombëtar. Në veçanti, duhet kërkuar që me rastin e përpunimit të të dhënave në Entin Republikan të Statistikave, të jenë prezent ekspert shqiptar dhe faktori ndërkombëtar. Në të kundërtën, prap do të manipulohet me numrin faktik të shqiptarëve në Maqedoni.

P.S: Së pari, qëllimi i këtij shkrimi është që të sensibilizohet bota intelektuale dhe ajo e institucioneve shkencore, e në veçanti duke përfshirë akademikët shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe në Kosovë, që të reagojnë ndaj manipulimit të numrit të popullatës autoktone shqiptare që jeton në këtë vend. Së dyti, që spektri politik mbar shqiptarë, të jetë unike dhe opozitë konstruktive, dhe të luftojë pa kompromise me të gjitha masat politike dhe institucionale ndaj të gjitha malverzimeve, përdhosjeve, keqtrajtimeve dhe manipulimit me numrin real dhe faktikë të popullatës autoktone shqiptare, që jeton dhe gjendet den baba den në trojet e veta etnike.