Sipas Shoqatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS), Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania mbajnë rreth 970 nga armët e tyre bërthamore në gatishmëri.
Kjo do të thotë se ato ruhen së bashku me sistemet e goditjes dhe duhet të jenë gati për përdorim për rreth pesëmbëdhjetë minuta. Atyre u qëndrojnë përballë rreth 900 koka bërthamore ruse të gatshme për të goditur, përcjell Deutsche Welle.
Në NATO vlen parimi i participimit nuklear, që do të thotë se në parim të gjitha vendet anëtare janë të përfshira në planifikim dhe zbatim. Megjithatë kodi operacional për armët në kapanonet e tyre nëntokësore mbetet në duart e SHBA. Vendimet merren në kuadër të grupit të planifikimit bërthamor të NATO-s, takimet e të cilit i nënshtrohen nivelit më të lartë të fshehtësisë.
NATO kryen çdo vit një stërvitje bërthamore njëjavore të quajtur “Steadfast Noon”. Tetorin e kaluar stërvitjet u zhvilluan në Evropën Jugore dhe sipas të dhënave zyrtare morën pjesë katërmbëdhjetë vende anëtare. Si rregull vendet pritëse nuk përmenden – gjithçka i nënshtrohet fshehtësisë. Dhe në manovra nuk përdoren armë të vërteta bërthamore, por përdorimi i tyre i mundshëm vetëm simulohet.
Nuk përjashtohet përdorimi i armëve bërthamore taktike nga Rusia
Përveç armëve të mëdha bërthamore strategjike, të gjitha palët kanë edhe armë bërthamore më të vogla, të ashtuquajturat taktike, me fuqi më të ulët shpërthyese, të cilat mund të ngarkohen në transportues normalë të betejës. Ato nuk do të shkatërronin zona të tëra, por do të kontaminonin me rrezatim bërthamor një rajon të madh, të krahasueshëm me një aksident të madh në një central bërthamor. Disa ekspertë besojnë se presidenti Putin po shqyrton përdorimin e një arme të tillë taktike bërthamore për të futur frikën në NATO dhe për të thyer frontin e saj të ngjeshur kundër Rusisë.
Por se cfarë do të thotë saktësisht Putini me termin “gatishmëri speciale luftarake” të përdorur të dielën është mister edhe për ekspertët. Gazeta britanike “The Guardian” citon lidhur me këtë Pavel Podevig, i cili punon në Gjenevë për projektin kërkimor mbi “armatimin bërthamor rus”. Mund të jetë një “komandë e përkohshme” që do të bënte të mundur një sulm hakmarrës, thotë ai. “Por kjo nuk është përgatitje për një goditje të dorës së parë.”
Podvig nuk e konsideron formulimin si nivelin më të lartë të gatishmërisë, por më tepër si një aksion, që fillimisht duhet të krijojë gatishmërinë për veprim të zinxhirit komandues: “Por është një shkallë mjaft e lartë.” Rusia ka vendosur tashmë në Bjellorusi një numër sistemesh të avancuara raketash dhe ka pozicionuar flotën e saj detare në Detin e Zi./DW