Si u prish PPD-ja, kush e nxiti – ditari i ambasadorit të parë të Shqipërisë në Shkup

0

Shënime per librin e diplomatit Leonidha Mërtiri, “Një diplomat i Tiranës në Shkup”.

Nga Mero Baze

Sot është Dita Kombëtare e Maqedonsië së Veriut. Më 8 shtator 1991, ish- Republika jugosllave shpalli pavarësinë e saj nga Beogradi duke ju bashkuar republikave të tjera si Sllovenia, Kroacia e Bosnja, që ndërkohë ishin ndarë.

Për shumëkënd në Shqipëri, ka një mungesë vemendje për hapat e parë të këtij shteti të ri fqinj me ne dhe raportet e tij të vështira me shqiptarët. Por sot pata një suprizë në këtë drejtim.

Ambasadori i parë i Shqipërisë në Shkup, Leonidha Mërtiri ka botuar librin e tij me kujtime “Një diplomat i Tiranës në Shkup”, një dëshmi sa interesante aq dhe realiste, e ftohtë dhe e mençur, për të lundruar në dallgët e panjohura me të cilat përballeshin Shqipëria dhe Maqedonia në ato vite.

Leonidha Mertiri Diplomatët shqiptarë shpesh nuk lënë gjurmë, as në diplomaci, as në histori. Por libri i Leonidha Mërtirit i ka të dyja meritat.

Ai dëshmon dhe profilin e një diplomati të zoti dhe besnikërinë profesionale të një publicisti që ka përshkruar si në skaner ato që ndodhën në ato vite.

Duke qenë se në atë kohë kam bashkëpunuar si gazetar me “Rilindjen” e Kosovës që shpërndahej edhe në Maqedoni, kisha kuriozitetin deri në faqen e fundit të librit të shikoja se si një diplomat profesionist i Tiranës ka përballuar në Shkup, jo vetëm duhmat nacionaliste të ish- jugosllavëve të Shkupit kundër shqiptarëve, por dhe duhmat paternaliste të Tiranës mbi faktorin politik shqiptar në Maqedoni.

Ndërhryja brutale e Tiranës në Partinë e Prosperitetit Demokratik, përcarja e saj në dy parti, në Kuvendin e vitit 1994 , diferencat mes Rugovës dhe Berishës në këtë pikë, dhe kulmimi i këtij tensioni me një fletërrufe të ATSH shkruar me dorë të Berishës, kundër politikanëve shqiptarë në Shkup, që i shpalli thuajse të gjithë tradhtarë, përveç Arbën Xhaferit e Menduh Thaçit, janë përshkruar me besnikërinë e një diplomati profesonist, që dukej se më së paku kishte lidhje politike me qeverinë e Tiranës.

Libri është një ditar fantastik, i pikave kyçe që ndoqi lidhja e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë e Veriut, problematikën që e shoqëronte këtë raport, sidomos mungesa elementare e lirive për shqiptarët atje dhe vrasjet në kufi, si dhe rolin kyc të pashpërlyer, të Shqipërisë në stabilitetin e Maqedonisë me njohjen e saj dhe mbështetjen në OKB.

Leonodha Mërtiri e sjell të gjallë këtë atmosferë, pa ngarkesa politike, pa mllefe për asnjë palë, por me kujdesin e një diplomati që dhe sot e kësaj dite, nuk do të lëndoj askënd, edhe ata që e kanë të vërtetën kundër vetes.

Sot Maqedonia feston 29 vjetorin e saj, por ky libër na kthen 29 vite pas, për të treguar se sa të vështirë e ka pas bashkëjetesën me Shqipërinë, një shtet që ende ishte foshnjë për nga vitet, por nacionalizmin e kishte të marrë hua nga Beogradi, si një vëlla të madh të birësuar.

Pas 29 vitesh faktori shqiptar në Maqedoni është më i fortë se kurrë dhe vendimtar për fatin e Maqedonisë, falë zhvillimeve të mëdha që kanë ndodhur dhe ndryshimit edhe të Maqedonisë. Por kurrë nuk duhet harruar se si ka filluar. Lexoni librin e Leonidha Mërtirit për ta kuptuar këtë.