Siguria e plazheve

0

Nga Brunela Beshaj

Me fillimin e pushimeve verore, secili prej nesh përpiqet që t’i kalojë sa më bukur e pa incidente apo ngjarje të rënda. Në mënyrë që asnjërit prej nesh apo familjarëve tanë mos t’i ndodh asnjë e keqe, që do të mund të na rrezikonte jetën, ne sigurohemi të marrim masat e duhura.

Por a e kemi ne çdo gjë në dorë, a mund të shmangim rreziqet nëpërmjet masave të marra paraprakisht? Jo çdo gjë varet nga ne….

Nëse flasim rreth pushimeve në bregdet, parashtrohen shumë pikëpyetje rreth sigurisë që ato ofrojnë. Po të shohim kushtet në të cilat gjenden plazhet tona, duhet thënë se një pjesë e konsiderueshme e tyre vuajnë nga mungesa e kujdesit nga ana e institucioneve përkatëse. Një situatë e tillë, ndoshta deri diku në tone më të lehta, paraqitet edhe në plazhet private.

Mangësia e parë, ndoshta dhe më e dukshmja është pikërisht mungesa e rojeve të plazhit, ku duhet theksuar se një pjesë shumë e vogël e plazheve publike apo private kanë të punësuar këta persona, mungesa e të cilëve jo rrallë herë është shoqëruar me humbjen e jetës së pushuesve, që në ditët e para të hapjes së sezonit turistik.

Duke marr nismë nga këto ngjarje tragjike, KLSH ka kërkuar që të merren masa nga bashkitë përkatëse të qyteteve bregdetare. Në dukje të këtij raporti gjithashtu është theksuar që përgjegjësia e vrojtuesve të plazheve të jetë kompetencë e bashkive dhe jo e subjekteve private.

KLSH ka theksuar që të bëhet e mundur përcaktimi i një institucioni përgjegjës për trajnimin dhe liçensimin e vrojtuesve të plazhit, profesion ky që në vendin tonë nuk përcaktohet nëpërmjet një ligji të veçantë. Në raportin e KLSH, kjo pikë është parashtruar që vitin e kaluar por që mesa duket nuk është marr në konsideratë nga bashkitë përkatëse. Gjithashtu, në terren është konstatuar që në mënyrë improvizore disa stacione plazhi të ngrenë kulla vrojtimi të cilat janë bosh, për të përmbushur në dukje një detyrim ligjor.

Mangësia tjetër, lidhet me faktin që në rast fatkeqësie, nuk ekzistojnë ligje ku të parashikohet një ndikim ligjor mbi vrojtuesin në rastet e mbytjeve në plazh, ligj i cili është i pranishëm në shtet e tjera. Sipas raportit të KLSH, në mënyrë që të sigurohet kontrroll dhe siguri maksimale, duhet që përgjatë vijës sonë bregdetare të vendosen 5 mijë vrojtues, gjë që do të sillte dhe punësimin e shumë të rinjve gjatë sezonit veror. Një e metë tjetër është mungesa e qëndrave shëndetësore, të cilat do të mund të ofronin ndihmën e parë në raste incidentesh apo ngjarjesh të rënda në plazh. Jo rrallë herë është vënë re fakti që pushuesit, të cilët mund të jene pickuar nga insekte, goditje tensioni apo kanë pësuar reaksione të llojeve të ndryshme, nuk kanë pasur se ku të drejtohen, gjë e cila ka sjellë rëndimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Ajo çka është edhe më e rëndësishmja për t’u theksuar qëndron në faktin se këtyre qytetarë ve i’u është dashur të transportohen drejt qendrave spitalore të qytetit me makina personale apo të rastit, pasi ambulanca ose nuk vjen ose vjen me shumë vonesë.

Në ato pak raste ku u mendua se u bë e mundur prania e qendrave shëndetësore në plazh, duhet përmendur se shumë prej tyre jane të mbyllura dhe ka mbetur vetëm prania e tyre thjeshtë si ndërtesa ose në rastet kur janë prezente nuk kanë mjetet dhe medikamentet e duhura. Këto arsye s’janë shumë por nuk janë as pak për të thënë se duhet të mërren masa të mënjëhershme nga ana e institucioneve përkatëse, e jo të neglizhohet siç ndodh zakonisht, derisa të shënohet viktima e radhës. Le të themi se këto ngjarje të rënda, ku disa pushues kanë humbur jetën, ka tronditur opinion publik e ata që duhet të vendosin rregullin, por kjo vetëm për pak ditë sepse ne heshtim dhe “ata” heshtin, jo rrallë në vendin tonë “çudia më e madhe, 3 ditë zgjat…”