Sigurimi bujqësor, i detyrueshëm

Fermerët ankohen për vlerësimet jo si duhet të dëmeve edhe përkundër pagesës sigurimit, mos pagesa e dëmeve reale, paqartësitë e polisave të sigurimit e kështu me radhë. Pritet që kjo situatë të tejkalohet me Ligjin e ri për sigurim bujqësor që gjendet në procedurë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 3 qershor – Me vite në Maqedoninë e Veriut po sigurohen shumë pak të mbjella bujqësore. Bujqit pas dëmeve që ju shkaktohen nga moti i keq presin të holla nga arka e shtetit dhe pak janë të interesuar për sigurimin bujqësor. Fermerët ankohen për vlerësimet jo si duhet të dëmeve edhe përkundër pagesës sigurimit, mos pagesa e dëmeve reale, paqartësitë e polisave të sigurimit e kështu me radhë. Pritet që kjo situatë të tejkalohet me Ligjin e ri për sigurim bujqësor që gjendet në procedurë për miratim. Ministri I bujqësisë Ljupço Nikollovski thotë se gjatë vikendit të kaluar falë edhe punës së Entit Sinoptik, është vepruar mbi 396 herë ndaj reve që sjellin breshër dhe është penguar mbi 80 për qind e breshrit në rajone të ndryshme në vend. Mirëpo shton se ndaj ndryshimeve të tilla drastike të motit do të ndërmerren edhe më shumë masa të tjera. Sistemi i ri i sigurimeve bujqësore synon të mbrojë bujqit nga ndryshimet e pavolitshme klimatike dhe të përshpejtojë procesin e kompensimit në raste kur do të shkaktohen dëme nga moti i keq.

“Me sfida të tilla po ballafaqohet i tërë rajoni dhe Evropa, por ne nevojitet që në mënyrë të përgjegjshme të angazhohemi maksimalisht që të mbrojmë prodhimtarinë bujqësore. Në këtë drejtim është edhe Propozim Ligji i ri për formimin e një sistemi të ri të sigurimit bujqësor që do të hyjë në procedurë qeveritare dhe parlamentare, ku mekanizmat e ri që do të ofrohen për sigurimin e detyrueshëm bujqësor do të mobilizojnë dhe motivojnë bujqit, dhe kompanitë e sigurimeve”, shton Nikollovski.

Në ndërkohë gjatë prezantimeve në teren para bujqve në organizimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, theksohet se modeli i ri i sigurimeve duhet të sigurojë stabilizim dhe zhvillim të përgjithshëm të sigurimeve bujqësore, centralizim dhe standardizim të mbulimit të riskut, pagesë të shpejtë dhe të drejtë përmes një subjekti, duke ofruar politika gjithëpërfshirëse që sigurojnë rreziqe në përputhje me nevojat të fermerëve që nuk ofroheshin më parë nëpërmjet kompanive individuale të sigurimit. Parashikohet edhe rritje e kapaciteteve për risigurim dhe inkurajimit të pjesëmarrjes në ri sigurim, sistem efektiv dhe i integruar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për rregullim më të mirë të tregut, parandalimin e praktikave të pandershme të sigurimit, mbulimin e plotë të prodhimit bujqësor me sigurime si dhe mbrojtjen dhe përjashtimin e buxhetit nga pagesa ad hok të dëmeve që po ndodh nga viti në vit.

Në mbledhjen e 8 marsit, Qeveria miratoi vendimin për pagesën e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore që kanë pësuar fermerët në vitet 2016, 2017 dhe 2018. Shuma e kompensimit do të jetë 10 për qind e vlerës totale të parashikuar. Vendimi përfshin 35 raporte të dorëzuara nga 29 komuna, dhe do të dëmshpërblehen mbi 9100 qytetarë dhe persona juridikë.

Qeveria gjithashtu ka marrë vendim për pagesën e kompensimit për dëmet nga fatkeqësitë natyrore në kulturat bujqësore në vitin 2021 në komunat Rosoman, Demir Kapi, Rankovcë, Karbinci dhe Bogdanci. Shkalla totale e kompensimit për të 5 komunat është 10 për qind e dëmit të vlerësuar. Vendimi do të paguajë 1072 persona fizikë dhe juridikë. Për këtë qëllim nga buxheti do të paguhen gjithsej rreth 4.5 milionë euro për të gjitha komunat ku ka pasur fatkeqësi të motit dhe fatkeqësive natyrore.

Të dhënat e Agjencisë për SuperVizion të Sigurimeve tregojnë se në periudhën e kaluar, përkundër mbulimit me 60 për qind apo pagesës më shumë se gjysmës si të subvencioneve të qeverisë për policat e sigurimit, sigurimet bujqësore akoma janë mjaft të ulëta. Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve në vitin 2021 janë lidhur gjithsej 3.858 kontrata sigurimi – nga të cilat 3.174 për të mbjellat dhe rendimentet dhe 684 për sigurimin e kafshëve.

Gjithashtu 4 nga 11 kompani paguajnë sigurime bujqësore. Sivjet me fillimin e vitit janë kontraktuar 654 marrëveshje për sigurim bujqësor dhe në blegtori me një vlerë prej 119 milionë denarë. Përderisa shuma e dëmit të paguar bruto nga kompanitë e sigurimeve sivjet është 400 mijë euro, ndërsa në vitin e kaluar kjo shifër ka arritur në afër 5 milionë euro. Kohë më parë, Krste Shajnoski, kryetar i Agjencisë së Sigurimeve theksoi se sigurimi i pavarur nga pasojat jo të dëshiruara nga fatkeqësitë natyrore po jep rezultate mirëpo shton se kjo është treguar e pamjaftueshme duke marrë parasysh territorin e gjerë dhe vëllimin e ekspozimit ndaj këtyre rreziqeve. “Këtu duhet të vijë në shprehje sigurimi që duhet të ofrojë zgjidhje për këto mangësi që bujqit individual nuk mund t’i tejkalojnë”, thekson Shajnoski.

Me ndryshimet e reja ligjore parashikohet që ekonomitë bujqësore të regjistruara në regjistrin e vetëm të ekonomive bujqësore në pajtim me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural para paraqitjes së kërkesës për mbështetje financiare në pajtim me Programin vjetor për mbështetje financiare në bujqësi për vitin rrjedhës apo para paraqitjes për të fituar subvencione, janë të obliguar të sigurojnë kulturat, bagëtitë, bletët, dhe kultivimin e peshkut për të cilat ata kërkojnë mbështetje financiare. Të gjitha këto duhet të sigurohen në Fondin kundër dëmeve të shkaktuara nga ngjarjet e pafavorshme klimatike. Personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk janë të regjistruar në këtë regjistër por që realizojnë prodhimtari bujqësore, mund ta sigurojnë prodhimin e tyre bujqësor në Fond me dokumentacion të përcaktuar dhe me pagesën e plotë të polisës apo primit.

Drafti i ligjit parashikon që 20 për qind e shumës së polisës të përballohet nga Fondi i Sigurimeve ku ekonomitë bujqësore do të paguajnë nga 30 deri në 80 për qind të polisës së sigurimit. Nëse plotësohen kushtet për pagesën e dëmit, ata që kanë paguar 30 për qind të polisës fitojnë deri në 50 për qind të shumës së sigurimit dhe kjo përqindje rritet në mënyrë kaskade apo shkallë shkallë, pra ata që kanë paguar 80 për qind të polisës fitojnë 100 për qind të shumës së sigurimit.

Fondi i ri bujqësor pritet të realizojë të hyra nga: Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, polisat e sigurimit, të ardhurat nga sigurimi i serishëm, të ardhurat e krijuara nga fondet e lira të Fondit dhe burimet tjera. Fondi realizon të hyra shtesë nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë Veriut në rast se nuk është në gjendje t’i kompensojë plotësisht dëmet e shkaktuara nga mjetet e veta, rezervat dhe mbulimet risiguruese. (koha.mk)