Kombëtarja shqiptare nisi këtë të hënë grumbullimin zyrtar në kuadër të dy sfidave ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Pas publikimit të listës disa ditë më parë, trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media, ku komentoi listën me 24 lojtarët e grumbulluar dhe foli për objektivat e skuadrës.
Që në krye të konferencës, trajneri i falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe mesazhet e shumta të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të nënës së tij ndërsa tha se Armando Broja nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi për shkak të një problemi fizik dhe skuadrës do t’i bashkohet sulmuesi Myrto Uzuni.
Ndër të tjera, tekniku i përfaqësueses shqiptare foli edhe për dy emrat e rinj në listën kuqezi, Sebastjan Spahiu dhe Agim Zeka. Sa i përket objektivit të kuqezinjve në Ligën e Kombeve, Silvinjo nënvizoi se Shqipëria është një ekip në rritje dhe në këtë kompeticion ai kërkon nga skuadra që të përmirësohet akoma edhe më shumë.
“Pikë së pari dua të falënderoj të gjithë Federatën, lojtarët edhe shumë prej jush që më keni dërguar mesazhe mbështetjeje dhe ngushullimi në një moment të vështirë, por kështu është jeta. Armando Broja nuk është në listë, është jashtë. Ne kemi pritur deri në fund, edhe dje ishim në kontakt me klubin e Evertonit. Ai kishte një problem me tendinën e Akilit, ka nisur rikuperimin dhe është jashtë 10-15 ditët e ardhshme, nuk mund të na ndihmojë. Më vjen keq për të dhe i uroj një rikuperim të shpejtë. Kemi thërritur Uzunin dhe nesër do të bashkohet me ne” – tha fillimisht trajneri Silvinjo dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.