Më 30 mars do të shpallim rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, po përgatisim ngjarje, në sallën e Filarmonisë. Presim 20 vjet për të dhënat e regjistrim, do të presim edhe 12 ditë të tjera. Çdo qytetar kishte të drejtë të regjistrohej sipas dëshirës, deklaroi kreu i EShS-së Apostol Simovski.
Ai deklaroi se është iluzion të presësh rritje të popullsisë kur ka rritje të emigrimit. Simovski tha se para 16 vjetësh është bërë strategji demografike, e cila ishte shumë e gabuar.
“Na kanë emigruar të rinjtë që mbartin natalitetin. Duhet një lloj tjetër politike. Dhe kur merren masat më të mira, nuk mund të pritet një bum demografik. Secili prej nesh duhet të ketë mundësinë për punë cilësore, faktori i dytë – mundësia për arsim cilësor, duhet shëndet cilësor dhe komunikim i mirë dhe së pesti, nevojat njerëzore të kenë mundësi të plotësohen kudo. Problem është edhe migrimi në nivel të brendshëm”, thotë Apostol Simovski, drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave në Studio 10 në TV24.
Regjistrimi i popullsisë të Maqedonisë së Veriut u zhvillua në muajin shtator, ndërsa sipas afatit ligjor rezultatet duhet të shpallin më së voni deri në muajin mars.
Sipas të dhënave të publikuara nga enti, me regjistrimin e popullsisë që zgjati nga 5 deri më 30 shtator, u regjistruan 1.832.696 persona, 568.175 familje dhe 837.255 banesa. Ata që për çfarëdo arsye mbetën të paregjistruar, do të gjenden në ndonjë nga bazat e të dhënave gjatë përpunimit të të dhënave dhe do të jenë pjesë e regjistrimit.
Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.