Sistematizimi i administratorëve do të marrë kohë?

0

Një ligj i ri do të obligojë institucionet të pranojnë në vendet e lira të punës administratorët që marrin paga dhe rrinë në shtëpi. Ministria për Sistem Politik dhe marrëdhënie mes bashkësive beson propozim-ligji i veçantë vetëm për këtë kategori të të punësuarve në administratë do ta zgjidhë problemin e sistematizimit të këtyre nëpunësve pa vend pune. Propozimi, thonë nga kjo ministri, do të jetë gati për disa ditë për të kaluar në Qeveri dhe më vonë në Kuvend. Pa dhënë afat konkret, dikasteri i drejtuar nga ministri Artan Grubi thotë se kanë gati dhe do të dorëzojnë në Qeverisë propozim-sistematizimin e të gjithë të punësuarve në vende të lira të punës.

Në fillim të mandatit zv/kryeministri Grubi deklaroi se do të angazhohen që sistematizimi të bëhet sa më shpejt.

Në afat sa më të shpejtë do të sigurojmë që të gjithë të punësuarit të sistemohen në vendet e punës në pajtim me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, në institucionet shtetërore”-tha Artan Grubi, zv/kryeministër.

Akoma nuk është e qartë se sa kjo procedurë mund të zgjasë por në programin e Qeverisë premtohet që “në gjashtë muajt e parë do të shpërndahen dhe do të shkojnë në punë të gjithë të punësuarit sipas Marrëveshjes së Ohrit në institucionet shtetërore.”

Çështja e sistematizimit u aktualizua me pompozitet në vitin 2018. Procesi i filluar nga ministri i atëhershëm i Administratës Damjan Mançevski nuk doli i suksesshëm dhe nuk u përfundua kurrë. Përgjegjësinë më vonë e mori Ministria për Sistem Politik. Edhe pse vazhdimisht jepet shifër e ndryshme, besohet se Ministria për Sistem Politik paguan afër 1500 nëpunës që realisht nuk kanë një vend pune./Alsat