Situata në Kosovë do të diskutohet sot në Bruksel

INA
INA

29 Qershor, 2023

Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Kosovë dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jenë ndër temat që do t’i diskutojnë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së në një takim që do të zhvillohet sot dhe nesër në Bruksel.

Pritet që në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE. Por, njëkohësisht, pritet të shprehet edhe shqetësim për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, banorët lokalë protestojnë qysh në fund të majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat. Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje edhe në draftin e një dokumenti që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së.

Sipas tij, Këshilli Evropian pritet të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dy vendet janë pajtuar gojarisht në muajin mars.

“Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023”, thuhet në draft-dokument.

Aty kujtohet thirrja e BE-së për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.

Në takimin e BE-së, më 29 dhe 30 qershor, pritet të përsëritet edhe përkushtimi i liderëve të vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit, që nënkupton edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draft-dokument.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi të dyja shtetet kanë hapur kapituj në negociatat për anëtarësim.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur vitin e kaluar negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, po ashtu vitin e kaluar.

Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e vitit të kaluar, ajo ka aplikuar për anëtarësim në bllok. Deri më tani, shteti ka nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në tetor të vitit 2015./Rel

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

vucic-1

Vuçiq mund të përballet me një seancë të jashtëzakonshme për ngjarjen terroriste në veri, opozita: Ai di diçka

shkupi

BERZH: Maqedonia këtë vit do të ketë rritje ekonomike për 2%, vitin e ardhshëm për 3%

Screenshot_2023-09-27-12-57-46-259-edit_com.facebook.katana

Ministri Shfeçla jep detaje të reja nga aksioni. Ja kush është njëri nga të vrarët

Fatmir-Bytyqi

Bytyqi për Zërin e Amerikës: Partnerët tanë strategjikë vërejnë dhe mbështesin përparimin tonë drejt Bashkimit Evropian

dacic

Daçiq “nuk e di” nëse Radoiçiq është në videon që nxori Sveçla

2579CC16-59D8-405E-B69C-2C3375E03728

Çka paralajmëron Fatmir Limani?!

policia-714x420

Të shtëna me armë zjarri në Gjorçe Petrov, plagoset një person

jusuf buxhovi

Mashtrimi i “konfliktit të grirë” me Serbinë dhe modeli i Donbasit?

abdulla mehmeti

Shërbimet sekrete serbe dhe ruse janë të infiltruara thellë edhe në Maqedoni

INFO

NA NDIQ