Skandaloze/Konkurs pune “parkues i veturave”, pritet reagimi i kryeministrit Zaev! (FOTO)

“Shërbim për parkimin e veturave” ky është vendi i punës i hapur për punësim në Komisionin Rregullator për Energjetikë, një trup qeveritar ku janë rrogat e majme dhe që ka fuqi të madhe buxhetore.

Ky konkurs ka bërë bujë në vend, duke u shëndërruar edhe në tallje nga ana e disa gazetave dhe portaleve. Qeveria e re vetëm e vetëm që të gjejë vende të reja pune në administratën e stërngarkuar, ka shpikur pozicione të ndryshme, duke përfshirë edhe ate “shërbimin për mirëmbajtjen e ndërtesave administrative”.

Ditë më pare ishte një skandal tjetër, ku kërkohej të pranohej në punë një nëpunës për fotokopjim, që ka të kryer shkollimin e mesëm, ndërsa rroga e tij do të ishte 25 mijë denarë.

Sipas portalit Plusinfo nuk dihet se sa do të jetë rroga e parkuesit të veturave në Komisionin Rregullator për Energjetikë dhe cila është puna e tij, të parkojë vetëm veturat si duhet apo do të kryejë edhe shërbime të tjera.

Qeveria derisa në anën tjetër po thirret në kursime të mëdha të buxhetit dhe ndalimin e harxhimeve për gjëra joproduktive, në anën tjetër në administratë po punësohen ushtarë partiak me shkollime të ulta, por me rroga rreth 25 mijë denarë, aq sa paguhen mjekët dhe profesorët. (INA)