Slloveni Lenarçiq – kandidati më serioz për komisar të Zgjerimit

0

Ursula Van der Leyen, e zgjedhur për presidente të Komisionit Evropian në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar, të martën do të duhej ta bënte publike listën e komisarëve dhe resorët që do t’ua ndante atyre.

Ajo tashmë është vonuar me këtë gjë, sepse Parlamenti Evropian duhet të përgatisë seancat dëgjimore dhe votimet për secilin kandidat në komisionet përkatëse parlamentare, e më vonë edhe për tërë Komisionin si kolektiv në një seancë plenare, në mesin e tetorit.

Deri më tash Van der Leyen e ka mbajtur të fshehtë listën me emra dhe kujt do t’i ndaheshin punët. Ajo ka zhvilluar bisedat me të gjithë ata por, me disa përjashtime, nuk është mësuar se kush do të marrë cilin resor.

Në garën për të marrë përsipër fushat më të rëndësishme në Komisionin Evropian, si: konkurrenca në treg, tregtia, financat, ekonomia, bujqësia, energjetika dhe ruajtja e mjedisit, është vërejtur se askush nuk është duke e dëshiruar postin e komisarit të Zgjerimit. Jo pse ky është një resor më pak i rëndësishëm, sepse merret me shumë shtete kandidate, por edhe me ato që nuk kanë potencial për integrim në BE, por janë shtete fqinje, por më shumë për shkak se nuk pritet ndonjë zhvillim tepër pozitiv në procesin e zgjerimit me 5 vjetët e ardhshëm.

Nëpër korridore në Bruksel po qarkullon një listë jozyrtare me emra, por askush as nuk e konfirmon e as nuk e mohon se ndarja e posteve do të jetë siç figuron aty. Edhe pse emri i kroates Dubravka Shuica është përmendur më së shumti për pasardhësen e Johannes Hahnit në postin e komisarit për Fqinjësi dhe Zgjerim, gjasat më të mëdha janë që ajo të marrë një resor shumë më të rëndësishëm, atë të peshkimit dhe detit, ndërsa komisar për Zgjerim të jetë Janez Lenarçiq nga Sllovenia, transmeton Koha.mk

Diplomatët e BE-së në Bruksel e shohin më reale që Lenarçiq të bëhet komisar për Zgjerim, sepse Sllovenia nuk ka çështje të hapura me asnjë shtet, i cili është në procesin e zgjerimit, ndërsa Kroacia ka ende çështje të hapura edhe me Serbinë e edhe me Malin e Zi. Pasi vjen nga Dubrovniku dhe pasi që Kroacia është një vend me traditë detare dhe të peshkimit, si reale shihet që Shuica të bëhet komisare për këtë fushë e jo për zgjerim.

Por ka edhe diplomatë në Bruksel që thonë se nuk duhet të jetë kriter se si do të reagojë një shtet jashtë BE-së nëse një post i jepet ndonjë politikani nga ndonjë shtet anëtar. Nëse Josep Borrel mund të jetë përfaqësues i lartë, e me këtë edhe të marrë rolin e lehtësuesit në dialogun Kosovë–Serbi, e ai është shprehur shpesh dhe ashpër kundër pavarësisë së Kosovës, pse Shuica të mos bëhet komisare për Zgjerim. Borrel thuhet ta ketë lëshuar edhe takimin e fundit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së për shkak se Kosova mori pjesë në të. E Shuica ka mbështetur hapur të gjitha shtetet e Ballkanit në rrugëtimin e tyre drejt BE-së, përfshirë edhe Serbinë. Kritikat që i ka bërë ndaj Serbisë kanë qenë jo kundër këtij shteti, por kërkesa që të përmbushë kriteret për anëtarësim.

Ajo që dihej që më parë është se Komisioni edhe kësaj radhe do të ketë disa zëvendëskryetarë, por vetëm dy prej tyre do të kenë fuqi konkrete. Ata janë Frans Timermans nga Holanda dhe Margreth Vestager nga Danimarka.

Sipas spekulimeve në Bruksel, Johanes Hahn nga Austria, i cili do të jetë në mandatin e tretë në Komisionit Evropian, do të mund të bëhej komisar për Punë të Brendshme dhe Migrim. Së paku rreth vizave mund të ketë përgjegjësi në portofolin e tij të ardhëm edhe për Kosovën, nëse realizohen parashikimet se ai do ta marrë këtë post të rëndësishëm dhe shumë të ndjeshëm për BE-në në këtë moment, kur ka ndasi të mëdha rreth qasjes ndaj politikës së migrimit dhe fatit të zonës së lëvizjes së lirë.