“Mungesa e vullnetit politik nga VMRO-DPMNE për ta proceduar ligjin për përfaqësim të drejtë dhe dërgimi i tij në Komisionin e Venecias si një taktizim i qëllimshëm, ishte arsyeja kryesore që na detyroi të largohemi nga qeveria.” Kështu deklaroi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në një intervistë për TVM2.
Ai theksoi se ASH ka pasur rol vendimtar në hartimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, menjëherë pas shfuqizimit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, drafti fillestar i këtij ligji është përgatitur nga Aleanca dhe më pas u propozua nga koalicioni VLEN.
Snopçe bëri të ditur gjithashtu se partia e tij kishte kërkuar krijimin e një trupi koordinues me ekspertë, për të siguruar që ligji të reflektojë nevojat reale të shqiptarëve në institucionet publike.
Aktualisht, ligji pritet té dërgohet në Komisionin e Venecias, pa një afat të qartë për mendim përfundimtar, ndërsa Aleanca e cilëson këtë si zvarritje të qëllimshme nga ana e partnerëve të mëparshëm qeveritarë.(INA)