Me zërat për zgjedhje të parakohshme, janë shtuar edhe matjet dhe sondazhet e shumta.
Varësisht nga koha e realizimeve të matjeve, përqindjet edhe po ndryshojnë.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca e parë politike në vend, edhe sipas matjes së fundit të opinionit publik të kryer nga kompania “UBO Consulting”. Ajo pasohet nga PDK-ja e cila gati ka ruajtur përqindjen e njëjtë krahasuar me sondazhin e marsit. E treta del LDK-ja. Sërish me një trend të dukshëm të rënies.
Mirëpo, koalicioni AAK-NISMA janë befasia e sondazhit të qershorit.
Marrëveshja e arritur mes AAK dhe NISMA-s tek tash, sipas këtij sondazhi, ka nisur të jap efekt elektoral.
Koalicioni i partisë së Ramush Haradinajt me Fatmir Limajn ka kapur 8.6% të mbështetjes, duke rezultuar se është rritur 1.7% më shumë se sa në mars kur kishin rezultuar me 6.9% të mbështetjes.
Kjo po cilësohet një rritje befasuese, pasi jo rrallëherë këto dy parti janë vënë në dyshim edhe për kalimin e pragut (5 për qind).
Si duket, ky bashkim i tyre ka ardhur me këtë qëllim, për ta kaluar pragun dhe për të mbijetuar në skenën politikë.