Sondazhi: Diferenca shumë e ngushtë, kush i fiton zgjedhjet më 25 prill ?

Në zgjedhjet e 25 prillit opozita e bashkuar dhe Partia Socialiste do të jenë në një garë të fortë, sipas një sondazhi në Euronews Albania, i kryer në bashkëpunim me kompaninë MRB.

Përtej kësaj nëse zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të zhvilloheshin sot, 41.8 për qind e shqiptarëve do të votonin Partinë Socialiste.

Opozita e Bashkuar do të merrte 42.7% të elektoratit, ndërsa Partia Socialiste do të merrte 44% të votave. Të pavendosurit janë në masën 7.4%, ndërsa ata që nuk do të votojnë përllogariten në masën 4.6%.

Megjithatë, sondazhi zbuloi se prirja e votës shkon drejt PS (41.8%), pasuar nga PD me 28.2% të votave, një hendek ky prej 13.6% të elektoratit.

LSI vazhdon të jetë sipas projektimit forcë e tretë me 10.3% të votave, pasuar nga PDIU me 1.5%.

Nga të dhënat e sondazhit, baza e këtyre partive që ka votuar për to në vitin 2017, do të votonte sërish në një përqindje të lartë, rreth 90% për PS dhe PD. Votuesit e LSI në 2017, duket se e kanë zbehur besnikërinë katër vite më pas, sepse do ta mbështesnin vetëm në masë 63.2%.

Pjesëmarrja është faktor kyç në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. Të pyetur në lidhje me vendosmërinë për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit 63.2 % shprehen shumë të sigurtë që do të dalin në votime, 25.4 % të sigurtë, 5% jo të sigurtë, 6 % aspak të sigurtë, ndërsa 0.3% nuk e dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen.

Pavarësisht se në cilin kamp do ta hedhin votën, shumica e shqiptarëve të pyetur nga sondazhi mendojnë se zgjedhjet do të fitohen nga PS (49.1%).

Një masë më e vogël prej 29.6% besojnë se do të fitohen nga PD, 10.9% nga LSI ndërsa 9.7% deklarojnë se nuk do të votojnë.