Sondazhi i IPP “Arbën Xhaferi” për partitë politike dhe ndryshimet kushtetuese

Iliria News Agency
Iliria News Agency

27 Mars, 2023

Një sondazh i ri i Institutit për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi ka matur opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në tema relevante politike.

Ky sondazh unik shikon në mënyrë specifike perceptimet e shqiptarëve për luftën në Ukrainë dhe implikimet e saj mbi aleancat strategjike të Maqedonisë së Veriut, kapacitetin e qeverisë për të arritur progres në anëtarësimin në BE, si dhe mbështetjen për ndryshimet kushtetuese dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe. Përveç kësaj, sondazhi mat qëndrimet e shqiptarëve ndaj liderëve politikë dhe mbështetjen ndaj partive politike, duke përfshirë edhe fraksionet brenda tyre“, thekson Instituti “Arbën Xhaferi”.

Kur pyeten se kush është fajtori për luftën Rusi-Ukrainë, dy të tretat e të anketuarve (64%) indentifikojnë Rusinë. Vetëm 2.7% e fajësojnë Ukrainën. Shqiptarët dëshmojnë mbështetje të qartë për Ukrainën (67.8%), me vetëm 4% që mbështesin Rusinë.

Kur bëhet fjalë për aleatët strategjikë të Maqedonisë së Veriut, gjysma e të anketuarve përmendin BE-në (49.7%) dhe SHBA-në (49.1%). Turqia renditet e treta, e përmendur nga 11.4% e të anketuarve. Rusia dhe Kina nuk janë të popullarizuara në mesin e shqiptarëve, me vetëm 0.2% e të anketuarve që i shohin këto të dyja si aleate strategjike.

Sondazhi konstatoi gjithashtu pikëpamje realiste për anëtarësimin në BE, me një shumicë relative e të anketuarve (43.3%) që beson se vendi nuk ka kapacitet për t’iu bashkuar BE-së në 10 vitet e ardhshme. Pak më shumë se një e treta e shqiptarëve (38%) besojnë se Maqedonia e Veriut mund të anëtarësohet në BE në 10 vitet e ardhshme.

Shumica e shqiptarëve (55.3%) përkrahin amendamentet kushtetuese si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, me vetëm 29.8% prej tyre që besojnë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj.

Sa i përket gjuhëve zyrtare të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese e shqiptarëve (89.1%) besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të çojnë në një status të avancuar për gjuhën shqipe, e cila duhet të përkufizohet si gjuhë bashkëzyrtare, në të njëjtin nivel me maqedonishten. Vetëm 6.4% e të anketuarve besojnë se duhet të ruhet përkufizimi aktual, sipas të cilit gjuha shqipe definohet si gjuhë zyrtare e folur nga së paku 20% e popullsisë.

Kur bëhet fjalë për opinionin publik për liderët partiakë, Ali Ahmeti (BDI) është më i popullarizuari, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive. Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit” është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive.

Sa i përket partive politike – 30.8% e shqiptarëve kanë thënë se do të votonin për BDI-në nëse zgjedhjet parlamentare do mbaheshin nesër. ASh renditet e dyta me 14.9%, e ndjekur nga Lëvizja Besa me 9.6%. Alternativa do të merrte vetëm 2% të votave, ndërsa PDSH është fare afër zeros (0.3%). Ndër partitë maqedone, 1.6% e shqiptarëve do të votonin për LSDM-në dhe vetëm 0.1% për VMRO-DPMNE-në.

Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%.

Hulumtimi është bërë me 1 mijë të anketuar në periudhën 15-21 marsi përmes intervistave telefonike, duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Margjina e gabimit është 3.1 pikë, me një nivel besimi 95 për qind, theskon IPP “Arbën Xhaferi”, që ka realizuar dhe financuar këtë hulumtim. (INA)

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

IMG_1744

Bumçi akuza Ramës: Qëndrimet e tij dobësuan Kosovën, e izoloi me Ballkanin e Hapur

IMG_1737

Fushatë me fotomontazhe ndaj gazetarëve Buzhala, Kabashi dhe Hamidi, reagon AGK

IMG_1736

Guxo: Mbështesim qëndrimin e institucioneve të Kosovës, kryetarët e komunave duhet të punojnë nga zyrat!

Ramush-Haradinaj-5

Haradinaj: Kurti paraqet rrezik për vendin, të largohet menjëherë nga Qeveria

policia-maqedonise-598x330

Aksident në rrugën Tetovë-Shkup, lëndohen pesë persona

Kurti-Bruksel

Kurti: SHBA, partner kyç pavarësisht dallimeve në qasje

tome-gashi

Gashi: Njëri nga arrestuarit në Veri është gjeneral serb…

IMG_1732

Kryeministri Kurti sot duhet mbështetur më shumë se asnjëherë!

Aksidenti-600x360

Aksident tragjik në rrugën Kërçovë – Ohër, një i vdekur dhe disa të lënduar

INFO

NA NDIQ